Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Izraeli ka çdo të drejtë të mbrohet dhe të hakmerret kundër sulmeve ndaj qytetarëve të tij. Por vetëm për shkak se ky objektiv është i kuptueshëm, legjitim dhe i dëshirueshëm, nuk do të thotë se është …

Shkruar nga

Ian Bremmer 

Drejtor i GZERO Media Group 

Marrë nga GZero

Inkursioni tokësor i Izraelit në Gaza duket se ka qenë i pashmangshëm që nga momenti kur Hamasi ndërmori sulmin tronditës të befasishëm më 7 tetor në jug të Izraelit, ku masakroi brutalisht më shumë se 1400 qytetarë izraelitë dhe mori mbi 200 pengje. Objektivi i Izraelit: të shkatërrojë Hamasin një herë e përgjithmonë, duke u siguruar se ai nuk mund të përbëjë më kurrë një kërcënim për sigurinë izraelite.

Kjo ofensivë e shumëpritur, deri më tani është vonuar nga përpjekjet ndërkombëtare për të reduktuar efektet humanitare, negociatat e vazhdueshme për lirimin e pengjeve, kundërshtitë brenda qeverisë së Izraelit se çfarë duhet bërë më pas dhe presionit nga Uashingtoni për të pritur derisa Izraeli dhe SHBA të përgatiten për të menaxhuar çdo përshkallëzim që mund të rezultojë. Megjithatë pushtimi mendohet se do të dominojë për një kohë të shkurtër. 

Ky ka për të qenë një gabim i tmerrshëm për Izraelin, edhe më i rëndë se ai që SHBA bëri në Irak dhe Afganistan në përgjigje të 11 shtatorit. Për të qenë i qartë, unë e kuptoj plotësisht dhe mbështes dëshirën e Izraelit për të shkatërruar organizatën terroriste Hamas. Izraeli ka çdo të drejtë të mbrohet dhe të hakmerret kundër sulmeve ndaj qytetarëve të tij. Por vetëm për shkak se ky objektiv është i kuptueshëm, legjitim dhe i dëshirueshëm, nuk do të thotë se është i realizueshëm ose i mençur strategjikisht.

Një pushtim në shkallë të gjerë i Gazës do të ishte kundërproduktiv

Nuk ekziston asnjë mënyrë ushtarake përmes së cilës Izraeli të shkatërrojë plotësisht Hamasin pa vrarë dhjetëra mijëra civilë palestinezë dhe pa radikalizuar shumë tjerë. Një pushtim i Gazës do të ishte një katastrofë humanitare, morale dhe strategjike, çka jo vetëm që do të shkaktonte kosto të pamatshme njerëzore, por edhe do të minonte keq sigurinë afatgjatë të Izraelit. Çfarëdo që mund të shpresojë të arrijë – përtej përmbushjes së kërkesave izraelite për hakmarrje – nuk mund të peshojë më shumë se dëmi që do të bëhet, qoftë edhe në skenarët më premtues. 

Për shkak se infrastruktura ushtarake e Hamasit është brenda zonave civile dhe 30,000-40,000 luftëtarët e tij fshihen mes civilëve, çdo përpjekje për të shkatërruar Hamasin në Gaza duhet bërë bllok pas blloku, godinë pas godine dhe derë më derë në një nga zonat më të populluara në botë, mes një popullsie kryekëput armiqësore dhe kundër një armiku shumë të motivuar që po përgatitej për këtë luftë në terrenin e vet prej një kohë të gjatë. Kjo betejë urbane, e ngadaltë dhe rraskapitëse, do të ishte taktikisht shumë e vështirë për t’u ndjekur dhe ndoshta më e kushtueshme për sa i përket viktimave ushtarake izraelite sesa ishte Falluxha për SHBA-në. Edhe nëse Izraeli merr çdo masë paraprake për të mbrojtur jetët e civilëve, shumë njerëz të pafajshëm në mënyrë të pashmangshme do të vriten, do të plagosen apo zhvendosen. Përpara 7 tetorit, 50% e palestinezëve në Gaza përballeshin me urinë kronike dhe 90% nuk kishin akses në ujë të pastër; nën rrethim dhe pa rrugëdalje nga territori, kjo vetëm sa do t’i përkeqësojë gjërat për ta.

Vdekja dhe vuajtja e civilëve të pafajshëm do të radikalizojë jo vetëm palestinezët në Gaza por edhe njerëz në vende të tjera, duke rritur mbështetjen për Hamasin dhe duke shumëfishuar kërcënimin ndaj Izraelit. Minimalisht, demonstratat anti-izraelite do të shtrihen në të gjithë rajonin, me mundësi të mëdha për sulme terroriste. Trazira sociale mund të shfaqen gjithashtu në Bregun Perëndimor, Egjipt dhe Jordani, me potencial destabilizues për rajonin, duke e çuar konfliktin përtej Gazës, për t’u përfshirë në formë hakmarrëse Hezbollahu apo edhe Irani.

Në të njëjtën kohë, sa më shumë dëme të shkaktojë ofensiva e Izraelit, aq më shumë ka për t’u gërryer legjitimiteti i tij moral dhe pozita ndërkombëtare. Mbështetja perëndimore për Izraelin mund të vihet në provë dhe marrëdhëniet e tij me shtetet arabe – dhe pjesën më të madhe të Jugut global – do të bëhen të paqëndrueshme, madje edhe normalizimi me Arabinë Saudite mund të cënohet. Zemërimi popullor ndaj Izraelit në mesin e popullatave arabe mund të shkaktojë telashe edhe për regjimet më represive arabe, duke i shtyrë që të distancohen nga SHBA-ja dhe Izraeli, çka mund të nxisë rritje të ekstremizmit në SHBA dhe Evropë.

Ndoshta problemi më i madh me një pushtim tokësor është se edhe nëse Izraeli i’a del të eliminojë Hamasin, ai nuk ka asnjë plan se çfarë të bëjë me Gazën “të nesërmen”. Ky është i njëjti problem që ndeshi edhe SHBA-ja pas rrëzimit të regjimeve në Irak dhe Afganistan. Izraeli nuk mund të instalojë Autoritetin Palestinez si zëvendësues të Hamasit, pasi AP është shumë i dobët dhe jopopullor për të zënë vendin e Hamasit. Sakaq është e vështirë të imagjinohet se Egjipti ose shtetet e Gjirit do të marrin përsipër administrimin e Gazës, pas dekadash “larje duarsh” me çështjen palestineze. Megjithatë, edhe nëse Izraeli tërhiqet, një Hamas i rikonstituuar ose një grup tjetër militant pa dyshim që do të mbushte vakumin e pushtetit. Që do të thotë se pasi të fillonte, pushtimi do të çonte në një okupim të pacaktuar dhe një kundërkryengritje të pafitueshme. 

Cila është alternativa?

Definitivisht, konflikti izraelito-palestinez nuk mund të zgjidhet ushtarakisht. Hamasi është jo vetëm një organizatë e përbërë nga njerëz të veçantë, por edhe një ide: Izraeli mund të vrasë të gjithë udhëheqësit e tij dhe t’i shkatërrojë infrastrukturën, por lëvizja dhe ideologjia do të mbijetojnë (në një formë ose në një tjetër) për sa kohë kushtet politike që stimulojnë mbështetjen ndaj Hamasit vazhdojnë të acarohen. E vetmja mënyrë se si izraelitët mund të arrijnë siguri të qëndrueshme është duke u ofruar palestinezëve një rrugë të besueshme me të cilën të realizojnë aspiratat e tyre legjitime për vetëvendosje me mjete paqësore. 

Kjo nuk do të thotë që Izraeli nuk duhet të hakmerret ushtarakisht kundër Hamasit për sulmet e tmerrshme të 7 tetorit. Përkundrazi, duhet: Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes dhe qeveria e tij është e detyruar të mbrojë qytetarët nga dëmtimi. Përderisa Hamasi vazhdon të përbëjë kërcënim për izraelitët, një armëpushim (jo i përkohshëm) dhe de-përshkallëzimi janë politikisht të pamundur dhe moralisht të papranueshëm. Përveç parandalimit fizik të Hamasit që të sulmojë Izraelin në të ardhmen e afërt, Izraeli gjithashtu duhet të synojë që përmes parandalimit, jo vetëm të shmangë një sulm të përgjakshëm, por po ashtu të fusë në lojë edhe diplomacinë në të ardhmen. Nëse armiqtë e tij besojnë se Izraeli është i dobët, ata eventualisht nuk do të kenë asnjë nxitje për të punuar drejt një zgjidhjeje paqësore.

Pra, si mund t’i arrijë Izraeli këto synime pa e përkeqësuar më tutje krizën humanitare dhe pa i shkaktuar vetes më shumë probleme? Me fjalë të tjera, si mund të luftojë Izraeli një përbindësh pa u bërë vetë i tillë? Në vend të një pushtimi të plotë tokësor që do të shkaktonte ndëshkim kolektiv për banorët e pafajshëm të Gazës dhe do të prodhonte pashmangshmërisht një gjendje pushtimi, Izraeli duhet të synojë goditjen e udhëheqësve, luftëtarëve dhe infrastrukturës së Hamasit për të degraduar aftësitë e organizatës terroriste, duke minimizuar viktimat ushtarake izraelite dhe civilët palestinezë.

Fushata kundër terrorizmit (në kundërshtim me ndryshimin e regjimit dhe fushatën kundër kryengritjes që do të fillojë) duhet të shoqërohet me presionin ndaj Katarit për t’i dhënë fund strehimit të liderëve politikë të Hamasit, zhvillimin e negociatave dhe operacioneve speciale për të shpëtuar pengjet dhe ofrimin e ndihmës së menjëhershme (dhe të mjaftueshme) humanitare për civilët e Gazës. Dhe e gjitha kjo duhet të fillojë vetëm pasi shumica e civilëve të jenë të sigurt. Në fund të fundit, Hamasi nuk ka për të shkuar askund; edhe banorët e Gazës aty kanë për të qenë. Nuk ka asnjë arsye për të mos marrë kohën e nevojshme për krijimin e zonave të sigurta dhe kampeve të refugjatëve, shpërndarjen e ndihmave humanitare, evakuimin e sa më shumë njerëzve nga Gaza e Veriut dhe negocimin për lirimin e sa më shumë pengjeve.

Zemra do atë që dëshiron

Fatkeqësisht, të gjitha shenjat tregojnë se Izraeli ka për të vazhduar me inkursionin tokësor. Kjo fushatë hakmarrjeje, të cilën Shtëpia e Bardhë e ka karakterizuar në gjykimin tim si “emocionale dhe jo strategjike”, është mbështetur jo vetëm nga Netanyahu, por edhe nga i gjithë kabineti i tij i luftës dhe shumica e izraelitëve në të gjithë spektrin politik. Ushtria dhe shërbimet e inteligjencës e kuptojnë vështirësinë dhe rrezikun e një pushtimi afatgjatë, por duket se lidershipi dhe qytetarët janë të mendimit se tani është koha për të hyrë dhe goditur fort, në djall të shkojnë pasojat.

Pavarësisht ndikimit të madh që SHBA-ja ka në Izrael, administrata Biden nuk beson se mund të parandalojë pushtimin për shumë kohë, ndaj dhe është fokusuar më tepër në kufizimin e dëmit pasues. Ata e kanë këshilluar privatisht qeverinë izraelite që “të hyjë shpejt dhe të dalë shpejt”, të minimizojë zonat e operacionit dhe të krijojë zona të sigurta brenda Gazës veriore ku civilët mund të strehohen dhe të kenë akses në ujë, ushqim, ilaçe dhe karburant. Gjatë fundjavës disa kamionë me ndihma arritën te civilët në Gazën jugore (jo aq sa duhet për të përmbushur nevojat minimale humanitare të Gazës). Ndërkohë ka pak shpresë se Izraeli do të pajtohet me “pauzën humanitare” që mbështet Shtëpia e Bardhë.

Për ta ritheksuar, Izraeli ka të drejtën sovrane dhe të patjetërsueshme për siguri. Por një pushtim tokësor i Gazës nuk e realizon këtë; përkundrazi, Izraeli po luan lojën e armiqve të tij dhe po minon stabilitetin rajonal, pa mundur të zgjidhë rrënjësisht asnjë prej dilemave të tij strategjike.

Unë me të vërtetë shpresoj që kokat më të ftohta të triumfojnë për të shpëtuar Izraelin nga vetvetja, por në mungesë të një mrekullie, mendoj se situata do të përkeqësohet më tej përpara se të përmirësohet.

Përktheu: Kevi Mucllari

Pikëpamjet e autorit nuk shprehin qëndrimin e redaksisë së Revistës Politike.

Të Fundit


Pamundësia e shoqërisë sekulare

Pamundësia e shoqërisë sekulare

Nuk ekziston diçka e tillë si shoqëria sekulare. Pretendimi im është njëkohësisht brutal dhe paradoksal: çështja…

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor…

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…