Pikëpamje nga Washingtoni, Janusz Bugajski: Beogradi po prodhon një luftë tjetër ballkanike

Të gjitha dëshmitë tregojnë se sulmi i milicisë serbe në veri të Kosovës më 24 shtator ishte i orkestruar nga Beogradi. Vrasja e një polici të Kosovës dhe përdorimi i një manastiri ortodoks është …

Shkruar nga

Të gjitha dëshmitë tregojnë se sulmi i milicisë serbe në veri të Kosovës më 24 shtator ishte i orkestruar nga Beogradi. Vrasja e një polici të Kosovës dhe përdorimi i një manastiri ortodoks është pjesë e një modeli të përsëritur provokimesh të krijuara për të arritur tre qëllime: varrosja e bisedimeve për “normalizim” midis Serbisë dhe Kosovës, testimi i reagimit ndërkombëtar ndaj dhunës së organizuar dhe përgatitja e kushteve për shkëputje të dhunshme.

Dhjetëra serbë të mirëarmatosur dhe të veshur me uniforma luftarake provokuan përleshjen me policinë e Kosovës pranë kufirit me Serbinë. Objektivi i menjëhershëm ishte të demonstrohej se qeveria në Prishtinë nuk e kontrollon territorin dhe se bandat e armatosura mund të veprojnë pa u ndëshkuar. Vrasja e tre prej të armatosurve do të krijojë dëshmorë edhe për nacionalistët serbë, me presidentin Aleksandar Vuçiç që pretendon se ata ishin serbë vendas që nuk mund të toleronin më tutje “terrorin e Kurtit”. Beogradi po pikturon një tablo mitike të represionit dhe vuajtjes në mesin e pakicës serbe, edhe pse serbët në Kosovë gëzojnë më shumë të drejta kolektive se çdo pakicë në Ballkan.

Duke krijuar incidente të shumta, Beogradi shpreson të destabilizojë vendin dhe të demonstrojë se Prishtina nuk është një partner i vërtetë. Gjatë vitit të kaluar, janë organizuar një numër incidentesh, duke përfshirë bllokada rrugore, bojkotime zgjedhore, sulme ndaj ndërtesave komunale dhe agresione të dhunshme ndaj policëve dhe trupave të NATO-s. Përgjigja e Uashingtonit dhe e Brukselit ndaj çdo incidenti e ka ndihmuar Vuçiqin pasi “të dyja palët” fajësohen për konfliktin dhe në këtë mënyrë përforcohet narrativa e rreme e represionit ndaj pakicave. 

Provokimet e rregullta shërbejnë për të vonuar dhe shkatërruar përfundimisht çdo negociatë të ndërmjetësuar nga BE. Në të vërtetë, mbi Prishtinën është vënë përgjegjësia për të mundësuar formimin e një “shoqate komunale” serbe përpara se të vazhdojnë bisedimet. Me fjalë të tjera, qeveria e Albin Kurtit pritet të krijojë strukturën që do ta ndajë Kosovën. I dërguari i BE-së Miroslav Lajčák dhe homologu i tij amerikan Gabriel Escobar së bashku me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së hiqen si të shurdhër sa herë që Vuçiq deklaron se nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe si pasojë nuk do t’i “normalizojë” marrëdhëniet. Dialogu është I pakuptimtë nëse njëra palë refuzon të pranojë ekzistencën e tjetrës, siç dëshmohet edhe me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. 

Objektivi i dytë i sulmit paraushtarak serb është të testojë njëkohësisht reagimin e Uashingtonit & Brukselit dhe kundërpërgjigjen e kontigjentit të kufizuar të NATO-s në Kosovë. Nëse forcat e NATO-s nuk marrin masa të forta për të ndihmuar policinë e Kosovës në patrullimin e kufirit dhe nuk kërkojnë çarmatosjen e milicisë dhe të gjitha formacioneve kriminale në veri të Kosovës, atëherë Beogradi do të arrijë në përfundimin se mund të ushtrojë  dhunë më intensive. Në qoftë se Forca e Armatosur e Kosovës nuk shndërrohet në një ushtri të rregullt dhe të mirë-pajisur që mund të mbrojë kufijtë e vendit dhe të nisë procesin e anëtarësimit në NATO, atëherë Beogradi do të vazhdojë të financojë dhe armatosë – por edhe të dërgojë në aksion – grupet e milicisë serbe pa u ndëshkuar. Zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së nuk kanë arritur të kuptojnë mësimin vendimtar të luftërave të viteve 1990 – agresori mund të frenohet dhe mposhtet vetëm duke demonstruar vullnet dhe fuqi superiore.

Objektivi i tretë i Vuçiqit është zhvillimi i një skenari si ai I Donbasit apo Krimesë mbi Kosovën. Plani për ndarjen e Kosovës ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë që u përfol gjatë presidencës Trump dhe u mbështet kryesisht nga Beogradi dhe Tirana, tashmë është anuluar. Prandaj, objektivi i Beogradit është zhvendosur drejt pamundësimit të Kosovës nga funksionimi si një shtet i integruar dhe pa kontroll të plotë mbi territorin e saj. Ky është qëllimi parësor i themelimit të një entiteti serb I veshur me petkun e një shoqatë komunale. Megjithatë, duke qenë se qeveria në Prishtinë po i reziston lëvizjeve të tilla vetëvrasëse pavarësisht prej presionit ndërkombëtar, Vuçiq tani po zgjedh dhunën e drejtpërdrejtë. Duke organizuar përleshje të armatosura, ai beson se fuqitë perëndimore do të kërkojnë më me ngulm nga Prishtina që të lejojë krijimin e një entiteti autonom serb për të parandaluar përshkallëzimin.

Në të njëjtën kohë, shërbimet e sigurisë së Serbisë po përgatiten për një rebelim më të gjerë në komunat veriore. Një tentativë për goditje nga policia e Kosovës do të justifikonte një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake serbe. Beogradi ka parakaluar periodikisht ushtrinë e tij përgjatë kufijve veriorë të Kosovës dhe ka kërcënuar se do të ndërhyjë për të “mbrojtur” popullatën serbe. Këto janë qartazi praktika për infiltrim, aneksim dhe pushtim për të mundësuar krijimin e një force lokale të sigurisë dhe një administratë kukull të Serbisë. Për të penguar një skenar të tillë, forcat e NATO-s duhet të rriten ndjeshëm dhe të armatosen me pajisje më të rënda për të përballuar çdo ndërhyrje serbe.

Sulmi ndaj Kosovës ka shumë të ngjarë të jetë i koordinuar ngushtë me entitetin serb në Bosnje-Hercegovinë dhe me Rusinë. Qeveria Dodik në Banja Luka mund të ndjekë njëkohësisht axhendën e ndarjes përmes një referendumi të menjëhershëm, tërheqjes së të gjithë zyrtarëve serbë nga institucionet shtetërore boshnjake, krijimit të një kufiri të patrulluar me Federatën Boshnjake, vendosjes së milicive të armatosura dhe shpalljen zyrtare të pavarësisë. Përllogaritjet synojnë ndaljen e reagimeve perëndimore duke paraqitur një fakt të kryer si në Kosovë ashtu edhe në Bosnje. Provokimet dhe aktet e dhunës mund të organizohen gjithashtu në Mal të Zi për të shpërqendruar më tej vëmendjen perëndimore. Ndërsa Millosheviqi gjatë kohës së veprimit zgjodhi një objektiv të vetëm gjatë viteve 1990, nxënësi i tij Vuçiq mund të vendosë të veprojë njëkohësisht në disa fronte.

Ky skenar i Serbisë së Madhe do të kërkojë gjithashtu dritën jeshile nga Moska, pasi Kremlini kërkon hakmarrje kundër Perëndimit për humbjet e tij masive ushtarake në Ukrainë. Rusia do të ofrojë mbështetje politike, mbulim diplomatik, një luftë informacioni që justifikon ndërhyrjen e Beogradit, financat, armët dhe vullnetarët, nëse do të teprojnë nga lufta në Ukrainë. Skenari do të mbështetet gjithashtu në naivitetin e zyrtarëve perëndimorë që menaxhojnë aktualisht Ballkanin. Për Beogradin, nëse BE-ja dhe SHBA-ja nuk mund të ofrojnë dominimin rajonal të Serbisë dhe të zgjerojnë territoret e saj, atëherë Moska do të jetë e etur për të ndihmuar veçanërisht pasi kjo u shërben interesave strategjike anti-perëndimore të Rusisë.

Përktheu: Kevi Muçllari

Burimi: Istraga.ba

Të Fundit


Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Serbia e do Europën, por një Europë që i ngjan Serbisë jo një Serbi që…

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Ian Bremmer  Drejtor i GZERO Media Group  Marrë nga GZero Inkursioni tokësor i Izraelit në Gaza duket se ka…