Lashtësia e Modernitetit

Në kohën e sotme, edhe pse termat “modern” e “modernitet” kanë thjesht kuptimin gjuhësor të bashkëkohësisë, kanë marrë megjithatë kuptimin e kulmit qytetërimor, të majës më të lartë të kapur nga …

Shkruar nga

Afrimi i vitit 1000 hixhri, që përkon me vitet 1591-1592 të kalendarit gregorian për shumëkënd në botën islame dhe veçanërisht në shtetin osman, ishte një rast për të reflektuar në mënyrat nga më të ndryshmet mbi historinë e botës dhe mbi të ardhmen e saj. Shekulli i dhjetë islam përkonte me periudhën e ekspansionit maksimal të shtetit osman nën sulltanatin e Sulejmanit të Madhërishëm, dhe ndryshimet e shpejta që ndodhën menjëherë pas vdekjes së tij, sollën një ndërgjegjësim se tashmë periudha e artë kishte perënduar dhe po hyhej në mijëvjeçarin e ri islam, me shenjat e para të postmodernitetit. Përkimet nuk kishin se si të ishin më të qarta, aq sa edhe sot, kur i përmbledhim, e krijojnë një perceptim të tillë, që natyrisht është vënë në diskutim në vitet e fundit, veçanërisht nga Baki Tezcan, në librin “The Second Ottoman Empire: Political and SocialTransformation in the Early Modern World”(2010).

Tri dekadat e fundit të mijëvjeçarit të parë islam sollën një ndërgjegjësim dhe shqetësim aq të madh në mesin e intelektualëve osmanë, sa është një nga rastet e rralla në histori kur kriza dhe dekandenca, që do ta kaplonte shtetin osman një shekull më vonë, u bënë të pranishme në rrethet intelektuale të Stambollit, kur shteti osman ishte akoma superfuqi europiane e botërore. Periudha e ndryshimit nga stabiliteti politik e zhvillimi ekonomik i Sulejmanit të Madhërishëm te paqëndrueshmëria politike e Selimit II, pijanecit, dhe sidomos e Muratit III, dhe inflacioni i dekadës së fundit të mijëvjeçarit të parë hixhri, pra i viteve 1580, krijoi kushtet për një ndërgjegjësim të tillë parathënës. Që prej asaj periudhe, klasa intelektuale osmane nuk arriti të shkëputet nga ideja e të jetuarit në postmodernitet dhe i shikimit të periudhës së Sulejmanit të Madhërishëm si kulminim i modernitetit osman, i shekullit të dhjetë si shekull i artë.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe në kapërcimin e mijëvjeçarit të parë sipas erës së krishterë. Fundi i mijëvjeçarit të parë u shoqërua me dukuri natyrore e zhvillime politike, që ndoshta nuk do të kishin lënë gjurmë sikur të mos përkonin me afrimin e vitit 1000. Kronikat janë më të pasura dhe kronistët janë më të zellshëm për të përshkruar shenjat e thyerjes së madhe, të botës së re përballë botës së vjetër. Një re e madhe, që errëson qiejt, përshkruhet nga kronistët me fjalë të ngjashme. Pak vite para trokitjes së vitit 1000 përshkruhen shira që zgjasin me muaj të tërë, qiej të mbuluar me re, që zënë diellin për disa muaj me radhë. Një kronikë e vitit 1000, madje, i përmbledh të gjitha këto shenja të çarjes së madhe, të hyrjes në mijëvjeçarin e ri, që në mendjen e shumë njerëzve konceptohej si fillim nga e para, ose si rënie nga një kulm i mëparshëm. Kronisti na thotë se në vitin 1000, një kombinim shirash të stërzgjatura, të shkaktuara nga errësimi i qiellit, kishte çuar në mungesë aq të madhe ushqimore, sa betohej se kishte parë me sytë e vet, në një treg të Parisit, të shitej mish njeriu. Mijëvjeçari i parë nuk kishte qenë aspak i qetë dhe as i begatë për botën e krishterë, pasi rënia e Perandorisë Romake ishte shoqëruar me përmbysjet më të mëdha demografike e historike, që njihen në historinë e kontinentit europian deri më sot. Megjithatë, frika e asaj që do të vinte, e zbehte plotësisht panoramën e zymtë të asaj çfarë kish qenë deri atëherë.

Në kohën e sotme, edhe pse termat “modern” e “modernitet” kanë thjesht kuptimin gjuhësor të bashkëkohësisë, kanë marrë megjithatë kuptimin e kulmit qytetërimor, të majës më të lartë të kapur nga njeriu sizifian në histori, përtej së cilës nuk ka tjetër përveçse rënie e ringritje. Për ata që jetonin në periudhën e kulmimit qytetërimor europian në shekujt XVII-XIX, bashkëkohësia e termave “modern” e “modernitet” përkonte me përjetimin e kulmeve të qytetërimit europian, të afirmimit dhe ekspansionit europian në botë. Për ta, moderne ishte vetë koha që ata jetonin, moderne ishte bashkëkohësia. Leximi historik përputhej me kuptimin gjuhësor të termit.

Bashkëkohësia e perceptuar si jokulmore shmanget nga termat “modern” e “modernitet”, që ngërthejnë bashkëkohësinë dhe kulmimin qytetërimor. Edhe postmodernia është thjesht një referim që i bëhet një epoke të artë, kulmore. Postmodernizmi është një zgjatje e modernizmit në të tashmen, që akoma nuk e ka krijuar identitetin e vet historik. Kjo është arsyeja pse theksuesja më e madhe e idesë së ekzistencës në një epokë postmoderne, postkulmore, ish-të artë është shkolla filozofike franceze. Për francezët, shekulli XIX shënon kulmimin e zhvillimit historik.

Shekulli XX, për pasojë, është postmodern, paskulmor. Me ngjizjen e botëkuptimit postmodernist, shkolla franceze, që nga mesi i shek. XX, e ka pasqyruar modernizmin, që akoma nuk kishte mbaruar në botën anglo-saksone, me njëfarë ironie, skepticizmi e nihilizmi të dukshëm. Identiteti akoma i paqartë i postmodernizmit si epokë ka çuar në paqartësi gjuhësore, në një diskurs të errët e shpesh kontradiktor të shkollës franceze të mendimit, përkundër thjeshtësisë gjuhësore e qartësisë më të dukshme të diskursit të shkollës anglo-saksone. Franca në shek. XX e humbi projektimin e saj botëror dhe dalja në skenë e SHBA-së si superfuqi botërore në Luftën e Parë Botërore, por veçanërisht shkërmoqja e Francës si shtet përballë Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, nxori në pah periferizimin e Francës në botën e të mëdhenjve të shek. XX. Bashkë me Francën ra edhe frëngjishtja, “lingua franca” e diplomacisë botërore në shek. XIX.

Edhe jubileu i mijëvjeçarit të dytë nuk i shpëtoi riartikulimit të idesë postkulmore. Përkimi i dekadës së fundit të mijëvjeçarit të dytë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe vetmimin e SHBA-së, si aktor parësor në përcaktimet botërore, risolli idenë e lashtë të fundit të historisë dhe të plotësimit përfundimtar të modelit të zhvillimit qytetërues. Triumfi i bllokut perëndimor në Luftën e Ftohtë u shndërrua në triumfalizëm jubilar. Ky augustizëm botëkuptimor përmblidhet në punimet e F. Fukuyama (veçanërisht në “The End of History and the Last Man”, 1992), ku, në vend të mbretit August të Romës së Lashtë, që triumfon mbi rivalët e tij dhe i jep fund triumviratit, vendoset sundimi august dhe sistemi august, që i jep fund kërkimit të modelit zhvillimor e qytetërimor. Fakti që lajmërimi triumfal i këtij sistemi njëzhvillimor rezultoi në një fiasko filozofike, një profeci që u dëshmua e paqëlluar nga vetë profetizuesi, tregon seFukuyama dhe mbështetësit e tij nuk shkojnë përtej riciklimit të shqetësimeve të intelektualëve osmanë të fundit të mijëvjeçarit hixhri dhe të murgjve kronistë europianë, të fundit të mijëvjeçarit të parë.

Ndërkohë që ideja e bashkëkohësisë është e ngarkuar mjaftueshëm me objektivizëm, ajo e modernitetit apo e kulmimit është gjithnjë e ngarkuar me tepër subjektivizëm për të qenë objektive. Ideja e modernizmit, e të jetuarit në një epokë moderne apo postmoderne është projektim i egocentrizmit në zhvillimin historik. Është mbivendosja e vetes sonë subjektive mbi objektivitetin e historisë. Njëlloj qendërzimi i kohës te kohështrirja e jetës sonë dhe e njohjes sonë. Ky qendërzim egocentrik nuk shpërfaqet vetëm në shqetësimin tonë me gjetjen dhe identifikimin e kulmeve të rrugëtimit sizifian të qytetërimit, por edhe me tronditjen tonë nga frika e fundit të pakthyeshëm të historisë, me frikën nga apokalipsi. Egocentrizmi priret t’i zmadhojë dukuritë në përputhje me interesat dhe shqetësimet imediate të një brezi të caktuar.

Europa ka njohur dy epidemi murtaje të dëshmuara historikisht deri më sot. Ajo e antikitetit të vonë, në shek. V, që njihet si epidemia e Justinianit, në kuptimin që ndodhi gjatë periudhës së Justinianit I, dhe murtaja e zezë, e viteve 1348-1349 e më pas. Megjithatë, edhe pse pasojat e saj kanë qenë të ngjashme e të përafërta në të dyja rastet, përjetimi ka qenë i ndryshëm. Epidemia e shek. XIV erdhi vetëm gjysmë shekulli pas jubileut të vitit 1300, që konsiderohet si jubileu më madhështor në historinë e Kishës Katolike. Këtë vit, Papa Bonifaci VIII e shpalli vit të shenjtë dhe jubilar, në të cilin do të faleshin mëkatet për këdo që do të plotësonte disa kushte, njëri nga më të rëndësishmit ishte pelegrinazhi në Romë. Si pasojë e këtij jubileu, që fillimisht u planifikua të përsëritej çdo 100 vjet, qindra mijëra pelegrinë vizituan Romën. Ky numër, jo vetëm që ishte i jashtëzakonshëm për kushtet e udhëtimit dhe kohën, por edhe krijoi idenë e triumfit përfundimtar të pushtetit fetar mbi atë laik.

Por, optimizmi se rivaliteti mes të dyja pushteteve u zgjidh përfundimisht në favor të pushtetit fetar, u shua shpejt nga faktet që pasuan. Vetë Papa u bë viktimë e hakmarrjes së pushtetit laik të Mbretit francez Filipi IV. Në vjeshtë të vitit 1303, forcat e Mbretit francez e zunë Papën në rezidencën e tij, në Anagni, dhe e rrahën aq keq, saqë, pa u mbushur muaji, vdiq. Kjo u pasua me zhvendosjen e selisë papnore nga Roma në Avinjon. Kur murtaja e zezë goditi kontinentin europian, në vitin 1348, pesimizmi tashmë ishte shtrirë me kohë në shumë prej shoqërive të Europës. Kontrasti mes pesimizmit tragjik në Europë me natyrshmërinë e pritjes së epidemisë në Mesdheun mysliman na çon pikërisht te pritshmëritë e jubileut të vitit 1300, të përmbysura aq shpejt e frikshëm. Ngjashëm kishte ndodhur edhe në fundin e antikitetit, gjatë epidemisë së kohës së Justinianit. Ndërsa në pjesën perëndimore të Perandorisë Romake kriza merr përmasa apokaliptike dhe pjesa perëndimore shpërbëhet nga dyndja e popullsive të reja, Justiniani përballet me po aq probleme nga popullsitë e dyndura, tërmetet dhe epidemia. Megjithatë,Kostandinopoja qëndronte e fortë dhe e sigurt përballë sulmeve të popullsive dhe optimizmi i perandorit, dhe i vetë bizantinëve, përkundër situatës, dëshmohet nga katedralja madhështore e Shën Sofisë, e ndërtuar pikërisht në këtë kohë e nga po ky perandor.

Nëse vijmë te rasti i raportit tonë si shqiptarë me modernitetin, sërish botëkuptimi egocentrik del qartas. Shekulli XIX ose ai i kulmimit të modernitetit kontinental noton në paradigmën e botës së krijuar në këtë shekull kulmor e, njëkohësisht e paradoksalisht, zanafillor. Rilindja jonë kombëtare, në fakt, perceptohet më shumë si lindje e mirëfilltë sesa si vazhdimësi ose si rilindje. Kjo, edhe pse ka pasur arsyet e veta, megjithatë nuk është mbështetur në ndonjë fill logjik. Gjatë periudhës së indoktrinimit komunist, konceptimi dhe paraqitja e shekullit XIX si origjinë e gjithçkaje mbështetej tek orientalizmi i gatuar në të njëjtën bukë ideologjike me marksizmin. Në këtë shekull, Rilindja Kombëtare (e konceptuar më shumë si lindje e mirëfilltë) përkonte me lindjen e marksizmit. Gjithçka që vinte nga përtej në kohë, ishte thjesht një parathënie e librit të madh të modernitetit. Pas viteve ’90, ky karakterizim zanafillor i shek. XIX nuk u zbeh, por u forcua edhe më tej. Kjo, natyrisht, ka të bëjë me inercinë metodologjike të mbartur nga periudha e indoktrinimit komunist, por edhe me mbizotërimin e frankofonisë dhe frankocentrizmit në rrethet intelektuale shqiptare, mbizotërimi gatuar që periudhën e mëhershme, kur Parisi ishte dritarja e vetme dhe më e rëndësishme e komunikimit të Shqipërisë me botën. Kjo ndikoi që ne të kapërcejmë menjëherë në postmodernizëm, pa e përtypur e as provuar modernizmin.

Një nga problemet më të ndërlikuara me të cilat përballemi në raportin tonë me të kaluarën është vështirësia e projektimit të identiteteve moderne prapa në paramodernitet. Nga kundrimi postmodernist ku notojmë, identitetet paramoderne na zhduken nga fushëpamja, ngaqë mundësia jonë e depërtimit në të kaluarën është tejet e kufizuar për shkaqet e shpjeguara më sipër. Kjo aftësi depërtimi në identitetin paramodern është edhe më e kufizuar sesa e shoqërive të tjera fqinje. Kështu nëse serbët, grekët apo deri edhe maqedonasit kanë mundësinë të shohin serbë, grekë apo edhe maqedonas në paramodernitet, ne nuk e kemi mundur të shquajmë asnjëherë shqiptarë në këtë periudhë paramoderne. Ndërsa në periudhën e indoktrinimit marksist shkenca jonë ka parë vetëm “arbër” deri në periudhën moderne, pas viteve ’90 këtyre shqiptarëve paramodernë sërish u është mveshur etnonimi i padokumentuar askund në mesjetë “arbër”. Njëkohësisht u është shtuar jo rrallë edhe qëndrimi nihilist i mohimit të plotë të shqiptarit paramodern dhe ai i shpikjes moderne të tij.

Për t’iu shmangur modernocentrizmit, një nga qëndrimet më korrekte dhe që, njëkohësisht, do të dëshmonte edhe respektimin e objektit të studiuar, pra shqiptarët për të cilët flitet në këtë periudhë, është që të adoptohet parimi i respektimit të vetidentifikimit të aktorëve historikë.

Modernia dhe moderniteti nuk janë monopol i një brezi e, për pasojë, as i joni. Çdo brez është modern në plot kuptimin e fjalës. Askush nuk na garanton se pas disa shekujsh ne, që mendojmë se jetojmë në kohët moderne apo postmoderne, të konsiderohemisi banorë të ndonjë mesjete, apo të një “dark age”. Mundësia që kjo të na ndodhë, është po aq e madhe sa u ka ndodhur atyre, të cilët ne sot i konsiderojmë mesjetarë, edhe pse ata nuk e konsideronin veten si të tillë.

Të Fundit


Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Serbia e do Europën, por një Europë që i ngjan Serbisë jo një Serbi që…

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Ian Bremmer  Drejtor i GZERO Media Group  Marrë nga GZero Inkursioni tokësor i Izraelit në Gaza duket se ka…