Ukraina përmes syve të Rusisë

Hulumtimet e Kremlinit para pushtimit sugjeronin se Ukraina ishte terren pjellor për subversion, por shoku i luftës mund ta transformojë gatishmërinë e ukrainasve për të rezistuar në mënyra të …

Shkruar nga

Ndërsa ushtria ruse është e aftë ti mposhtë forcat e armatosura të Ukrainës, perspektiva e pushtimit të një vendi armiqësor përbën një bast të madh për Moskën. Për të vlerësuar me saktësi pse Presidenti Vladimir Putin arriti në përfundimin se ai mund ta pushtonte Ukrainën, është e nevojshme të merret parasysh se si zyrtarët rusë e kuptuan popullsinë ukrainase dhe strukturën e saj politike, ekonomike dhe sociale në prag të pushtimit. Ky artikull analizon sondazhet sociale të kryera në të gjithë Ukrainën në shkurt 2022 dhe të porositura nga Drejtoria e Nëntë e Shërbimit të Pestë të Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë (FSB). Këto tregojnë se si zyrtarët rusë e shihnin Ukrainën teksa po planifikonin pushtimin e tyre dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për trajektoren e një pushtimi rus.

Shërbimi i Pestë i KGB-së ka qenë përgjegjës për kundërzbulimin në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik. Kur KGB-ja u bë FSB në vitet 1990 dhe këto territore u bënë shtete të pavarura, Shërbimi i Pestë u shndërrua në një agjenci inteligjence që targeton fqinjët e Rusisë. Departamenti i tij për Informacionin Operativ është përgjegjës për përpilimin e të dhënave për “fqinjët e afërt” të Rusisë, dhe Drejtoria e Nëntë, që synon Ukrainën, ka mbikëqyrur mbledhjen e inteligjencës mbi shoqërinë ukrainase për të informuar vendimmarrjen ruse. Sondazhet e shkurtit 2022 zbulojnë shumë rreth mënyrës sesi Kremlini vlerëson qëndresën e shoqërisë ukrainase.

Ukraina në shkurt 2022

Sipas të dhënave të sondazhit, ukrainasit në fillim të shkurtit ishin, në përgjithësi, pesimistë për të ardhmen dhe apatikë për politikën dhe nuk u besonin politikanëve, partive politike apo shumicës së institucioneve të brendshme të Ukrainës. Shqetësimet e tyre kryesore ishin inflacioni dërrmues dhe kostoja e jetesës, të dyja këto perceptoheshin se ishin në rritje.

Besimi në zyrën e presidentit ishte 27%, me 67% mosbesues ndaj presidencës. Presidenti Volodymyr Zelenskiy kishte miratim të dobët në -34, por një përqindje e lartë e ukrainasve të anketuar ende pohonin se do të votonin për të mbi kandidatët e tjerë. Ushtria e Ukrainës, si e rregullta ashtu edhe ajo rezervë, gëzonte shumë besim, me 68% të popullsisë që e mbështeste, ndërsa qeveritë rajonale dhe komunale ishin relativisht të mirëbesuara me mbi 40% të popullsisë që kishin një opinion të favorshëm për ta. Megjithatë, institucione të tjera gëzonin shifra miratimi që varionin nga mediokre në të dobëta, duke përfshirë policinë me 28% dhe shërbimet e brendshme të sigurisë me 23%. Besimi te Rada – parlamenti ukrainas – dhe te partitë politike ishte për faqe të zezë, përkatësisht 11% dhe 8%. Dhe kur ishte fjala për gatishmërinë për të shërbyer në ushtri ose për t’i rezistuar një pushtimi të huaj, 40% e të anketuarve deklaruan se nuk do ta mbronin Ukrainën.

Popullsia veçanërisht kishte një opinion të lartë për aftësitë e ushtrisë, megjithëse kjo është në mënyrë shqetësuese divergjente nga vlerësimi i analistëve profesionistë ushtarakë. 51% e të anketuarve besonin se ushtria ukrainase kishte kapacitetin për të zmbrapsur një forcë pushtuese, pavarësisht se aftësitë teknike ukrainase tejkaloheshin dukshëm nga ato të dislokuara nga Rusia. Ata gjithashtu në pjesën më të madhe nuk besonin se pozicionimi i forcave ushtarake ruse – për të cilën 90% e të anketuarve ishin në dijeni – do të rezultonte domosdoshmërisht në pushtim. Këto pritshmëri janë asgjësuar tanimë.

Pika të tjera të pushtetit të Rusisë u identifikuan gjithashtu në sondazhin e kryer për FSB. Më shumë se gjysma e popullsisë ukrainase u vlerësua se kishte një opinion të favorshëm për kishën, pavarësisht se ato famulli që e konsiderojnë veten pjesë të juridiksionit të Patriarkanës së Moskës janë depërtuar shumë nga inteligjenca ruse. Harta e gjerë e mënyrës sesi perceptoheshin figurat dhe partitë e ndryshme politike i dha FSB-së gjithashtu një tregues se cilave prej tyre duhet t’i jepte përparësi për kooptimin, detyrim, margjinalizim ose eliminim. Veçanërisht, kur shikohet nga një perspektivë kombëtare, popullsia ukrainase dukej se kishte vetëm një nivel të moderuar vendosmërie. Megjithatë, kur ndahet sipas rajoneve – veri, jug, lindje dhe perëndim – bëhet e qartë se qëndrimet në jug dhe lindje të vendit shfaqin shumë më pak besim në shtetin ukrainas.

Implikimet për operacionet ruse

Këto tendenca do të jenë përfshirë në planifikimin e pushtimit të Rusisë dhe implikimet ia vlen të merren parasysh. Është e dukshme që Putini, në fjalimin e tij televiziv para pushtimit, foli gjerësisht për dështimet e qeverisjes ukrainase në terma që pasqyronin tablonë e pikturuar nga sondazhet e FSB-së. Institucionet në të cilat ukrainasit kanë më shumë besim – forcat e armatosura – janë pikërisht ato kundër të cilave Rusia mund të veprojë më shpejt dhe me vendosmëri. Viktimat e mëdha dhe izolimi i njësive ushtarake ukrainase pa mbulim ajror, mund të bëjnë që mjetet e blinduara ruse të anashkalojnë qendrat e rezistencës, duke mos abuzuar popullatën me kapacitetin mbrojtës të ushtrisë së tyre.

Në qytetet e Ukrainës, ekziston gjithashtu çështja e mobilizimit popullor dhe rezistencës jokonvencionale. Megjithatë, edhe këtu, pabarazitë rajonale janë të një rëndësie më të madhe. Ndërsa një pakicë e ukrainasve të anketuar nga FSB thanë se nuk do ta mbronin Ukrainën, kjo popullsi ishte e përqendruar në mënyrë disproporcionale në jug dhe lindje të vendit. Për më tepër, në mesin e atyre që thanë se nuk do të luftonin, rreth gjysma treguan se në rast lufte ata do të ‘përshtateshin dhe mbijetonin’, duke sugjeruar se një pjesë e madhe e popullsisë në jug dhe lindje të Ukrainës do të ishin të hapura për t’iu përshtatur autoriteteve pushtuese nëse do te mund të ofronin shërbime.

Përndryshe, Kievi, kryeqyteti, u duk dukshëm i ndryshëm dhe hulumtimi sugjeron se do të jetë terren jetik për suksesin ose dështimin e planeve të luftës të Rusisë. Besimi në shoqërinë civile dhe institucionet vullnetare u konsiderua i lartë dhe thirrja e Presidentit Zelenskiy për mobilizim do të shohë një numër të madh të të rriturve të moshës ushtarake të armatosen. Megjithatë, siç kemi shkruar më parë, janë organizatat e shoqërisë civile ato që forcat speciale ruse, të drejtuara nga FSB, synojnë të targetojnë pamëshirshëm. Nëse ushtria ruse mund të zhvendosë qeverinë ukrainase në Kiev, FSB-ja ka pak prova për të sugjeruar qe qytetarëve të Ukrainës Lindore do t’u vijë keq që partitë politike dhe politikanët të zëvendësohen.

Nëse ata që planifikuan pushtimin e Rusisë e morën seriozisht sondazhin, ndikimi i tij në strategjinë e pushtimit rus është i qartë. Rusia ka shanse që të shkatërrojë institucionet e besuara të Ukrainës dhe ti zëvendësojë ato që janë më pak të besuara. Administratat e reja pushtuese do të ishin gjithashtu të këshillueshme që të përdornin gjuhën e antikorrupsionit dhe të mbështeteshin në ofrimin e shërbimeve si një mjet për të rreshtuar pjesët e lëkundura të popullsisë, një detyrë kjo ndoshta e lehtësuar nga fakti se 44% e popullsisë priste të kishte vështirësi për të paguar faturat e shërbimeve në fillim të shkurtit. Putini e ka përdorur tashmë këtë gjuhë në fjalimet e tij publike, por duke pasur parasysh korrupsionin endemik në Rusi dhe varfërimin e Donetskut dhe Luhanskut të pushtuar që nga viti 2014, duhet të vihet në dyshim nëse administratat pushtuese ruse do të bindin popullatën për aftësinë e tyre për të ofruar qeverisje të mirë. Ndërsa FSB-ja mund të ketë identifikuar mundësi për të shfrytëzuar shoqërinë ukrainase, kjo nuk do të thotë se rusët do të jenë në gjendje ta ndjekin atë.

Putin hedh zaret

Problemi me sondazhet e qëndrimeve sociale është se ato fotografojnë gjendjen në një moment në një kohë të dhënë. Në kushte të qëndrueshme, tendencat në të dhëna mund të sugjerojnë trajektoren e ndjenjës publike dhe FSB ka të dhëna për tendencat sociale për Ukrainën që nga viti 2006. Por një ndryshim sizmik i kontekstit mund të shkaktojë ndryshime të mëdha në ndjenja dhe qëndrime. Sulmet ajrore, edhe kur kufizohen në sulme me saktësi ndaj objektivave ushtarake, historikisht janë perceptuar jashtëzakonisht negativisht nga popullsitë civile të nënshtruara ndaj tyre, të cilët gjithashtu mund të mos e kuptojnë plotësisht ndryshimin midis bombardimeve të zonës dhe shënjestrimeve ushtarake. Kjo shpesh frymëzon urrejtje të fortë ndaj sulmuesit dhe forcon vendosmërinë për të rezistuar. Po kështu, viktimat ushtarake përballë një pushtimi tokësor të armikut mund ta bëjnë një popullsi më të vendosur për të rezistuar, për sa kohë që rezistenca nuk duket e pashpresë. Fitoret e vogla, por simbolikisht të rëndësishme taktike të Ukrainës, si rimarrja e aeroportit Antonov, fitojnë një rëndësi më të gjerë kur shikohen në këtë këndvështrim.

Nëse Rusia shpresonte se tronditja dhe frika nga shkatërrimi i ushtrisë ukrainase mund ta pengonte rezistencën, përvoja historike tregon rezultatin e kundërt. Kështu, ndërsa sondazhi i FSB-së mund të ketë qenë i saktë në matjen e opinioneve në kohën kur u krye, ai u tregon pakgjë rusëve se si do të evoluojnë ndjenjat pas pushtimit.

Sondazhet e komisionuara nga FSB theksuan gjithashtu pabarazinë tradicionale rajonale në Ukrainë midis pjesëve lindore dhe perëndimore të vendit. Drejtoria e Nëntë e FSB-së ka hartuar administratat e pushtimit për rajonet (rajonet) në lindje të Dnieper-it, por nuk e ka bërë këtë në perëndim të lumit, përveç Kievit. E megjithatë, nëse Rusia ka vetëm një kontroll të dobët në perëndim të vendit, pjesët perëndimore mund të mbeten një vektor afatgjatë për grupet e rezistencës që do të vazhdojnë të kundërshtojnë pushtimin e Rusisë.

Duke pasur parasysh lojën e rëndësishme të zbuluar nga vlerësimet e vetë Rusisë për terrenin njerëzor në të cilin ajo vepron, është e qartë se pushtimi mund të jetë jashtëzakonisht i vështirë. Për më tepër, nëse Rusia zbulon se po përballet me rezistencë të ashpër dhe sulme kryengritëse, ka të ngjarë të rrisë përdorimin e fuqisë së zjarrit në zonat urbane. Ndërsa kjo mund të heqë pengesat taktike, nuk ka gjasa të fitojë besimin e një popullsie politikisht mosbesuese. Nëse Rusia nuk mund të parandalojë një kryengritje të zgjatur në kohë të komanduar nga Ukraina Perëndimore, është e mundur që forcat ruse të tejshtrihen, duke rritur cënueshmërinë e tyre dhe duke i paraqitur Putinit mundësinë e një dështimi të përgjakshëm. Nëse shembujt e Çeçenisë dhe Sirisë janë shërbejnë si udhëzues, planifikuesit rusë ka të ngjarë të kalojnë nga një premtimet e qeverisjes së mirë në zbatimin e represionit të pamëshirshëm.

Ky artikull bazohet në dokumente të porositura nga inteligjenca ruse dhe të parë nga autorët në origjinal. Autorëve iu është dhënë akses në këto dokumente nga autoritetet ukrainase dhe kanë marrë të gjitha masat e arsyeshme për të verifikuar vërtetësinë e dokumenteve. Fotot e dokumenteve mbahen në dosje, por riprodhimi nuk lejohet, për të mbrojtur identitetin e personave të përfshirë.

Burimi: RUSI (Royal United Services Institute (RUSI) është instituti më i vjetër në botë dhe think-tank-u kryesor i mbrojtjes dhe sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar).

Të Fundit


Pamundësia e shoqërisë sekulare

Pamundësia e shoqërisë sekulare

Nuk ekziston diçka e tillë si shoqëria sekulare. Pretendimi im është njëkohësisht brutal dhe paradoksal: çështja…

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor…

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…