Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor i shkencave politike dhe dekan i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Moderne në …

Shkruar nga

Yan Xuetong

Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor i shkencave politike dhe dekan i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Moderne në Universitetin Tsinghua. Kjo ese u përkthye nw anglisht nga Zhaowen Wu dhe David Liu.

ME rritjen e ndikimit të Kinës mbi ekonominë globale dhe rritjen e kapaciteteve të saj për të projektuar fuqinë ushtarake, rivaliteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është i pashmangshëm. Liderët e të dy vendeve pohojnë me optimizëm se konkurrenca mund të menaxhohet pa përplasje që do të kërcënonin rendin global. Shumica e analistëve akademikë nuk janë edhe aq optimistë. Nëse historia është një udhërrëfyes, ngritja e Kinës përbën vërtet një sfidë për Amerikën. Fuqitë në rritje kërkojnë të fitojnë më shumë autoritet në sistemin global dhe fuqitë në rënie rrallëherë humbasin pa luftë. Dhe duke pasur parasysh dallimet midis sistemeve politike kineze dhe amerikane, pesimistët mund të besojnë se gjasat për luftë janë shumë të mëdha.

Unë i përkas traditës realiste në politikë. Analistët perëndimorë i kanë etiketuar pikëpamjet e mia politike “hawkish” (militanteske), dhe vërtet unë kurrë nuk e kam mbivlerësuar rëndësinë e moralit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por realizmi nuk do të thotë që politikanët duhet të merren vetëm me fuqinë ushtarake dhe ekonomike. Në fakt, morali mund të luajë një rol kyç në formësimin e konkurrencës ndërkombëtare midis fuqive politike – dhe ndarjen e fituesve nga humbësit. Në këtë përfundim kam arritur nga studimi i teoricienëve politikë të lashtë kinezë si Guanzi, Konfuci, Xunzi dhe Mencius. Ata kanë shkruar para periudhës Qin (dinastia Qin), përpara se Kina të bashkohej si një perandori më shumë se 2000 vjet më parë – një botë në të cilën vendet e vogla konkurronin pamëshirshëm për avantazh territorial. Kjo ndoshta ka qenë periudha më e rëndësishme për mendimin kinez, me disa shkolla që konkurruan për supremaci ideologjike dhe ndikim politik. Megjithatë, ato konverguan në një përsiatje thelbësore: çelësi i ndikimit ndërkombëtar ishte fuqia politike dhe atributi qendror i pushtetit politik ishte lidershipi i mbrujtur moralisht. Sundimtarët që vepronin në përputhje me normat morale kurdoherë që ishte e mundur, demonstronin prirje për të fituar garën e udhëheqjes në afat të gjatë.

Bashkimi i Kinës u realizua nga mbreti i pamëshirshëm Huangdi i dinastisë Qin në vitin 221 p.e.s., por sundimi i tij jetëshkurtër nuk ishte aq i suksesshëm sa ai i perandorit Wu të dinastisë Han, i cili u mbështet tek një përzierje e realizmit legalist dhe “fuqisë së butë” konfuciane për të sunduar vendin për mbi 50 vjet, nga viti 140 p.e.s. deri në vitin 86 p.e.s. Sipas filozofit të lashtë kinez Xunzi, ekzistojnë tre lloje pushteti: autoriteti njerëzor, hegjemonia dhe tirania. Autoriteti njerëzor fiton zemrat dhe mendjet e njerëzve brenda dhe jashtë vendit. Tirania – e bazuar në forcën ushtarake – krijon në mënyrë të pashmangshme armiq. Fuqitë hegjemonike gjenden në mes: ata nuk përdornin metoda hileqare as brenda vendit dhe as me aleatët jashtë vendit. Por ata shpesh ishin indiferentë ndaj konsideratave morale dhe herë pas here përdornin dhunë kundër jo-aleatëve. Filozofët në përgjithësi u pajtuan se autoriteti njerëzor do të fitonte garën me hegjemoninë dhe tiraninë.

Teori të tilla mund të duken të dala mode në ditët tona, por analogjitë që mund të bëhen janë të mrekullueshme. Në të vërtetë, Henri Kisingeri një herë më ka thënë se ai besonte që mendimi i lashtë kinez kishte më shumë gjasa se çdo ideologji e huaj të bëhej forca intelektuale dominuese e politikës së jashtme kineze. Fragmentimi i epokës para dinastisë Qin ngjason me ndarjet globale të kohës sonë dhe recetat e ofruara nga teoricienët politikë të asaj epoke janë drejtpërdrejt të rëndësishme sot – domethënë se shtetet që mbështeten në fuqinë ushtarake ose ekonomike pa u shqetësuar për udhëheqjen me tharm moral janë të destinuar të dështojnë. Fatkeqësisht, në epokën e determinizmit ekonomik pikëpamje të tilla nuk janë edhe aq ndikuese, paçka se qeveritë shpesh thurin lavde në nder të tyre. Qeveria kineze pretendon se lidershipi politik i Partisë Komuniste është themeli i mrekullisë ekonomike të Kinës, por në realitet vepron sikur konkurrenca me Shtetet e Bashkuara shtrihet vetëm në fushën ekonomike. Në Amerikë, politikanët rregullisht ia atribuojnë progresin udhëheqjes së tyre, por kurrë dështimin. Të dyja qeveritë duhet të kuptojnë se lidershipi politik – në vend të përdorimit pamasë  të parave – do të përcaktojë se kush e fiton garën për supremaci globale. Shumë njerëz gabimisht besojnë se Kina mund të përmirësojë marrëdhëniet e saj me jashtë vetëm duke rritur konsiderueshëm ndihmën ekonomike. Afeksioni zor se blihet me para; një “miqësi” e tillë nuk e kalon testin e kohëve të vështira.

Atëherë, si mund t’i fitojë Kina zemrat e njerëzve në mbarë botën? Sipas filozofëve të lashtë kinezë, ajo duhet të fillojë nga shtëpia. Autoriteti njerëzor fillon duke krijuar një model të dëshirueshëm në shtëpi i cili më pas frymëzon njerëzit jashtë vendit. Kjo do të thotë se Kina duhet t’i zhvendosë prioritetet e saj nga zhvillimi ekonomik drejt krijimit të një shoqërie harmonike pa hendeqet që ekzistojnë sot midis të pasurve dhe të varfërve. Ajo duhet të zëvendësojë kultin e parasë me moralin tradicional dhe të eliminojë korrupsionin politik në favor të paanësisë dhe drejtësisë sociale.

Në vende të tjera, Kina duhet të manifestojë autoritetin njerëzor në mënyrë që të konkurrojë me Shtetet e Bashkuara, të cilat mbeten fuqia më e rëndësishme hegjemoniste në botë. Forca ushtarake është baza e hegjemonisë dhe ndihmon për të shpjeguar pse Shtetet e Bashkuara kanë kaq shumë aleatë. Presidenti Obama ka bërë gabime strategjike në Afganistan, Irak dhe Libi, por veprimet e tij tregojnë gjithashtu se Uashingtoni është i aftë të udhëheqë tre luftëra njëkohësisht. Në të kundërt, ushtria e Kinës nuk është përfshirë në asnjë luftë që nga lufta me Vietnamin në vitin 1984, dhe shumë pak nga oficerët e saj të rangut të lartë – për të mos përmendur ushtarët – kanë përvojë në fushën e betejës.

Amerika ka marrëdhënie shumë më të mira me pjesën tjetër të botës sesa Kina, qoftë në terma sasiorë ashtu edhe cilësorë. SHBA-ja ka më shumë se 50 aleatë zyrtarë ushtarakë, ndërsa Kina nuk ka asnjë. Koreja e Veriut dhe Pakistani janë vetëm kuazi-aleatë të Kinës. E para krijoi një aleancë formale me Kinën në vitin 1961, por nuk ka pasur manovra të përbashkëta ushtarake dhe asnjë shitje armësh për dekada. Kina dhe Pakistani kanë bashkëpunim të konsiderueshëm ushtarak, por nuk kanë asnjë aleancë ushtarake formale që do t’i lidhte së bashku.

Për të krijuar një mjedis ndërkombëtar miqësor që do të ndihmonte ngritjen e tij, Pekini duhet të zhvillojë marrëdhënie diplomatike dhe ushtarake më cilësore sesa Uashingtoni. Asnjë fuqi udhëheqëse nuk është në gjendje të ketë marrëdhënie miqësore me çdo vend të botës, kështu që thelbi i konkurrencës midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara ka për të qenë demonstrimi i aftësisë për të fituar miq me cilësi të lartë. Dhe për të arritur këtë qëllim, Kina duhet të zhvillojë lidershipin moral më kualitativ se Shtetet e Bashkuara.

Kina gjithashtu duhet të pranojë se është një fuqi në rritje dhe të marrë përsipër përgjegjësitë që vijnë nga ky status. Për shembull, kur bëhet fjalë për të ofruar mbrojtje për fuqitë më të dobëta, siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara në Evropë dhe Gjirin Persik, Kina duhet të ndërmarrë nisma për zgjerimin e sigurisë rajonale me vendet fqinje, sipas modelit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait – një forum rajonal që përfshin Kinën, Rusinë dhe disa vende të Azisë Qendrore.

Në domenin politik, Kina duhet të mbështetet në traditën e saj të meritokracisë. Zyrtarët e lartë qeveritarë duhet të zgjidhen bazuar tek virtyti dhe urtësia e tyre dhe jo thjesht tek aftësitë teknike dhe administrative. Kina gjithashtu duhet të hapet për të pranuar funksionarë nga e gjithë bota të cilët plotësojnë standardet e saj, në mënyrë që të përmirësojë qeverisjen. Dinastia Tang – e cila zgjati nga shekulli i 7-të deri në shekullin e 10-të, periudha ndoshta më e lavdishme e Kinës – punësoi një numër të madh të huajsh si zyrtarë të rangut të lartë. Sot, Kina duhet të bëjë të njëjtën gjë dhe të konkurrojë me Amerikën për të tërhequr emigrantë të talentuar.

GJATË dekadës së ardhshme, udhëheqësit e rinj të Kinës do të dalin nga një brez i cili përjetoi vështirësitë e Revolucionit Kulturor. Ata janë një brez tepër i vendosur dhe me shumë gjasa do të vlerësojnë më shumë parimet politike sesa përfitimet materiale. Këta liderë duhet të luajnë një rol më të madh në skenën botërore duke ofruar më shumë siguri dhe mbështetje ekonomike për vendet më pak të fuqishme. Kjo do të thotë që konkurrenca me Shtetet e Bashkuara ka për të qenë njëkohësisht politike, ekonomike dhe teknologjike. Një konkurrencë e tillë mund të shkaktojë tensione diplomatike, por rreziku i përplasjes ushtarake është minimal. Kjo për shkak se konkurrenca e ardhshme sino-amerikane ka për të qenë ndryshe nga ajo midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. As Kina dhe as Amerika nuk kanë nevojë për luftëra proxy për të mbrojtur interesat e tyre strategjike ose për të fituar akses në burimet natyrore dhe teknologji. Beteja e Kinës për të përmirësuar statusin e saj të lidershipit botëror dhe përpjekja e Amerikës për të ruajtur pozicionin e saj aktual është një lojë me shumën zero. Është beteja për zemrat dhe mendjet e njerëzve ajo që do të përcaktojë se kush do të mbizotërojë përfundimisht. Dhe, ashtu siç parashikuan filozofët e lashtë të Kinës, do të fitojë vendi që do të bazohet më shumë te autoriteti njerëzor.

Përktheu: Kevi Muçllari             

Burimi: https://www.nytimes.com/2011/11/21/opinion/how-china-can-defeat-america.html

Të Fundit


Pamundësia e shoqërisë sekulare

Pamundësia e shoqërisë sekulare

Nuk ekziston diçka e tillë si shoqëria sekulare. Pretendimi im është njëkohësisht brutal dhe paradoksal: çështja…

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor…

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…