Si përfundon kriza e Ukrainës

Ukraina ka qenë e pavarur për vetëm 23 vjet; më parë ka qenë nën një lloj sundimi të huaj që nga shekulli i 14-të.

Shkruar nga

Gjithë diskutimi publik për Ukrainën sillet rreth konfrontimit. Por a e dimë se ku po shkojmë? Në jetën time kam parë katër luftëra të nisura me shumë entuziazëm dhe mbështetje publike, të gjitha nuk dinim si t’i përfundonim dhe nga tre u tërhoqëm në mënyrë të njëanshme. Prova e një politike është se si përfundon, jo si fillon.

Shumë shpesh çështja e Ukrainës paraqitet si një përballje: nëse Ukraina i bashkohet Lindjes apo Perëndimin. Por nëse Ukraina do të mbijetojë dhe të lulëzojë, ajo nuk duhet të jetë avanposti i asnjërës palë kundër tjetrës – ajo duhet të funksionojë si një urë lidhëse ndërmjet tyre.

Rusia duhet të pranojë që përpjekja për t’i dhënë Ukrainës statusin e një vendi satelit, dhe kështu të zhvendosë sërish kufijtë e Rusisë, do ta dënonte Moskën të përsëriste historinë e saj të cikleve vetëpërmbushëse të presioneve reciproke me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Perëndimi duhet të kuptojë se për Rusinë, Ukraina nuk mund të jetë kurrë thjesht një vend i huaj. Historia ruse filloi në atë që quhej Kievan-Rus. Feja ruse u përhap prej andej. Ukraina ka qenë pjesë e Rusisë për shekuj, dhe historitë e tyre ishin të ndërthurura më parë. Disa nga betejat më të rëndësishme ruse për liri, duke filluar me Betejën e Poltavas në 1709, u zhvilluan në tokën ukrainase. Flota e Detit të Zi – mjetet e Rusisë për të projektuar fuqinë në Mesdhe – bazohet me qira afatgjatë në Sevastopol, në Krime. Edhe disidentë të tillë të famshëm si Aleksandr Solzhenitsyn dhe Joseph Brodsky këmbëngulën se Ukraina ishte një pjesë integrale e historisë ruse, në fakt, e Rusisë.

Bashkimi Evropian duhet të pranojë se zgjerimi burokratik dhe nënshtrimi i elementit strategjik ndaj politikës së brendshme në negocimin e marrëdhënieve të Ukrainës me Evropën kontribuan në kthimin e negociatës në krizë. Politika e jashtme është arti i përcaktimit të prioriteteve.

Ukrainasit janë elementi vendimtar. Ata jetojnë në një vend me histori komplekse dhe përbërje poliglote. Pjesa perëndimore u përfshi në Bashkimin Sovjetik në vitin 1939, kur Stalini dhe Hitleri ndanë plaçkën. Krimeja, 60 për qind e popullsisë së së cilës janë rusë, u bë pjesë e Ukrainës vetëm në vitin 1954, kur Nikita Hrushovi, një ukrainas me origjinë, e dha atë si pjesë e kremtimit të 300-vjetorit të një marrëveshje të rusëve me kozakët. Perëndimi është kryesisht katolik; lindja kryesisht ortodokse ruse. Perëndimi flet ukrainisht; lindja flet kryesisht rusisht. Çdo përpjekje nga një krah i Ukrainës për të dominuar tjetrin – siç ka qenë rasti – do të çonte përfundimisht në luftë civile ose shpërbërje. Trajtimi i Ukrainës si pjesë e një konfrontimi Lindje-Perëndim do të shkatërronte për dekada çdo perspektivë për të sjellë Rusinë dhe Perëndimin – veçanërisht Rusinë dhe Evropën – në një sistem ndërkombëtar bashkëpunues.

Ukraina ka qenë e pavarur për vetëm 23 vjet; më parë ka qenë nën një lloj sundimi të huaj që nga shekulli i 14-të. Nuk është për t’u habitur që udhëheqësit e saj nuk e kanë mësuar artin e kompromisit, aq më pak të perspektivës historike. Politika e Ukrainës pas pavarësisë tregon qartë se rrënja e problemit qëndron në përpjekjet e politikanëve ukrainas për të imponuar vullnetin e tyre në pjesët rebele të vendit, fillimisht nga një fraksion, pastaj nga tjetri. Ky është thelbi i konfliktit midis Viktor Yanukovych dhe rivales së tij kryesore politike, Julia Tymoshenko. Ata përfaqësojnë dy krahët e Ukrainës dhe nuk kanë qenë të gatshëm të ndajnë pushtetin. Një politikë e mençur e SHBA-së ndaj Ukrainës do të kërkonte një mënyrë që të dy pjesët e vendit të bashkëpunonin me njëra-tjetrën. Ne duhet të kërkojmë pajtim, jo ​​dominim të një fraksioni.

Rusia dhe Perëndimi, dhe më së paku fraksionet e ndryshme në Ukrainë, nuk kanë vepruar sipas këtij parimi. Secili e ka përkeqësuar situatën. Rusia nuk do të ishte në gjendje të impononte një zgjidhje ushtarake pa u izoluar në një kohë kur shumë nga kufijtë e saj tashmë janë të pasigurt. Për Perëndimin, demonizimi i Vladimir Putin nuk është politikë; është alibi për mungesën e saj.

Putini duhet të kuptojë se, pavarësisht nga ankesat e tij, një politikë e imponimeve ushtarake do të prodhonte një tjetër Luftë të Ftohtë. Nga ana e saj, Shtetet e Bashkuara duhet të shmangin trajtimin e Rusisë si një rravgues të cilit i duhen mësuar me durim rregullat e sjelljes të vendosura nga Uashingtoni. Putin është strateg serioz – nga premisat e historisë ruse. Të kuptuarit e vlerave dhe psikologjisë së SHBA-së nuk janë qasja e tij e fortë. As të kuptuarit e historisë dhe psikologjisë ruse nuk ka qenë një pikë e fortë e politikëbërësve amerikanë.

Udhëheqësit e të gjitha palëve duhet të kthehen të shqyrtojnë rezultatet, jo të garojnë në pozime. Kjo është ideja ime për një rezultat të pajtueshëm me vlerat dhe interesat e sigurisë të të gjitha palëve:

1. Ukraina duhet të ketë të drejtën të zgjedhë lirisht lidhjet e saj ekonomike dhe politike, duke përfshirë edhe Evropën.

2. Ukraina nuk duhet të anëtarësohet në NATO, një pozicion që e mbajta shtatë vjet më parë, kur u ngrit për herë të fundit.

3. Ukraina duhet të jetë e lirë të krijojë çdo qeveri të pajtueshme me vullnetin e shprehur të popullit të saj. Udhëheqësit e mençur ukrainas do të zgjedhin më pas një politikë pajtimi ndërmjet palëve të ndryshme të vendit të tyre. Në pikëpamje ndërkombëtare, duhet të ndjekin një qëndrim të krahasueshëm me atë të Finlandës. Ai vend nuk lë asnjë dyshim për pavarësinë e vet dhe bashkëpunon me Perëndimin në shumicën e fushave, por shmang me kujdes armiqësinë institucionale ndaj Rusisë.

4. Është e papajtueshme me rregullat e rendit botëror ekzistues që Rusia të aneksojë Krimenë. Por duhet të jetë e mundur që marrëdhëniet e Krimesë me Ukrainën të vendosen në baza më të shtendosura. Për këtë qëllim, Rusia do duhet të njihte sovranitetin e Ukrainës mbi Krimenë. Ukraina duhet të përforcojë autonominë e Krimesë me zgjedhje të mbajtura në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë. Procesi do të përfshijë heqjen e çdo paqartësie në lidhje me statusin e Flotës së Detit të Zi në Sevastopol.

Këto janë parime, jo receta. Njerëzit familjarë me rajonin duhet ta dinë se jo të gjitha këto do të jenë të këndshme për të gjitha palët. Testi nuk është kënaqësia absolute, por pakënaqësia e balancuar. Nëse nuk arrihet një zgjidhje e bazuar në këto ose elemente të krahasueshme, shkarja drejt konfrontimit do të përshpejtohet. Koha për këtë do të vijë mjaft shpejt.

Washington Post

6 mars 2014

Henry A. Kissinger ishte sekretar i shtetit nga 1973 deri në 1977.

Të Fundit


Pamundësia e shoqërisë sekulare

Pamundësia e shoqërisë sekulare

Nuk ekziston diçka e tillë si shoqëria sekulare. Pretendimi im është njëkohësisht brutal dhe paradoksal: çështja…

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor…

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…