Shqiptarët më të varfrit e Europës edhe në vitin 2021
Shkruar nga
Sipas të dhënave të EUROSTAT për vitin 2021, 43% e qytetarëve shqiptarë janë të rrezikuar nga varfëria apo përjashtimi social. Megjithëse shkalla e emigracionit të popullsisë është më e larta në Europë, edhe banorët e mbetur në Shqipëri rrezikohen nga varfëria dhe përjashtimi shoqëror 2 herë më shumë se mesatarja e BE.
Ndërsa në vendet e BE 1 në çdo 5 persona rrezikohet nga varfëria, në Shqipëri pothuajse 1 në 2 persona kërcënohet nga varfëria dhe përjashtimi social. Të dhënat e fundit të EUROSTAT tregojnë se 21.7% e personave në Bashkimin Europian ballafaqohen me rreziqe të ngjashme me ato që përballen 43% e qytetarëve shqiptarë.
Ky indikator korrespondon me numrin e përgjithshëm të (1) personave në rrezik varfërie, (2) personave që përballen me privim të rëndë shoqëror e material (e shprehur nga aftësia e tyre për të përballuar artikuj apo aktivitete të caktuara shoqërore) dhe (3) personave që jetojnë në një familje me intensitet shumë të ulët pune.
Më e rëndë është situata për familjet shqiptare me fëmijë, 44.6% e të cilave janë të rrezikuara nga varfëria dhe përjashtimi shoqëror. Por Shqipëria udhëheq për përqindjen e popullsisë së rrezikuar edhe në treguesin e familjeve pa fëmijë par të rritur me 40.8%.
Varfëria e fëmiijëve shqiptarë është edhe më e thellë. Po sipas EUROSTAT, 51.8% e fëmijëvë nën 6 vjeç, 47.8% e fëmijëve ndërmjet 6-11 vjeç, dhe 53.6% e fëmijëve të moshës 12-17 vjeç jetojnë në rrezik varfërie dhe përjashtimi social. Pra, më shumë se gjysma e tyre nuk janë në gjendje të përmbushin nevojat e tyre për shumë elementë materialë dhe veprimtari shoqërore.
Në të njëjtin nivel të rrezikut të lartë nga varfëria dhe përjashtimi shoqëror janë edhe të moshuarit mbi 65 vjeç. 47.8% e tyre janë klasifikuar në këtë kategori shoqërore dhe ekonomike nga EUROSTAT.
Rreziku nga varfëria dhe përjashtimi shoqëror nuk varet në mënyrë të ngushta nga niveli i të ardhurave të një familjeje, pasi mund të përfshijë edhe papunësinë, intensitetin e ulët të punës, statusin professional ose një gamë të gjerë karakteristikash socio-ekonomike. Për të përllogaritur numrin apo përqindje e popullsisë që jetojnë nën rrezikun e varfërisë apo përjashtimit social, EUROSTAT gërsheton tre tregues të ndryshëm. Personat klasifikohen në këtë kategori nëse gjenden në të paktën njërën nga këto tri situate:
- Personat në rrezik nga varfëria, me fjalë të tjera, me një të ardhur familjare të disponueshme që është poshtë pragut që tregon vijën e rrezikut të varfërisë.
- Personat që vuajnë nga privimi i rëndë material dhe shoqëror, me fjalë të tjera, ata që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga 13 elementët e privimit (gjashtë që lidhen me individin dhe shtatë që lidhen me familjen) që konsiderohen të dëshirueshme apo të nevojshme nga shumica e njerëzve për të patur një cilësi të përshtatshme jetese.
- Personat (nën moshën 65 vjeç) që jetojnë në një familje me intensitet shumë të ulët pune, me fjalë të tjera, ata që jetojnë në familje ku të rriturit punojnë 20% apo më pak nga potenciali i plotë i kohës për punë gjatë 12 muajve të fundit.
Lista e elementëve të privimit të rëndë material dhe shoqëror, e ndarë në 2 nivele: niveli familjar dhe niveli individual është paraqitur më poshtë:
Niveli familjar:
- Aftësia për të përballuar shpenzime të papritura
- Aftësia për të përballuar shpenzimet e një jave pushimesh jashtë shtëpisë
- Aftësia për t’u ballafaquar me pagesat e prapambetura (kredi apo qira, faturat e shërbimeve, këstet e lizingut apo pagesa të tjera huaje)
- Aftësia për të përballuar një vakt me mish, pulë, peshk apo barazvlerësin vegjetarian një herë në dy ditë
- Aftësia për të mbajtur shtëpinë në mënyrë të përshtatshme
- Zotërimi i një automjeti për përdorim personal
- Zëvendësimi i mobiljeve të vjetëruara
Niveli personal:
- Lidhje interneti
- Zëvendësimi i rrobave të vjetëruara me të reja
- Posedimi i dy palë këpucëve të përshtatshme (përfshirë një palë këpucë plotësisht lëkurë)
- Shpenzimi i një shumë të vogël parash për veten çdo javë
- Aktivitetet e rregullta të kohës së lirë
- Konsumimi i drekave/darkave ose pijeve me miq apo me familjen të paktën një herë në muaj
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Politike, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Politike” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Të Fundit
Nuk ekziston diçka e tillë si shoqëria sekulare. Pretendimi im është njëkohësisht brutal dhe paradoksal: çështja…
Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor…
Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…
Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…
Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…
Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…