Rusia dhe Ukraina: Çfarë po ndodh!?
Shkruar nga
Çfarë po ndodh?
Rusia ka vendosur mbi 100,000 ushtarë në kufirin e saj me Ukrainën. Sipas Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Rusia është e gatshme që të pushtojë të gjithë vendin. Sipas Reuters, Rusia ka dërguar gjak dhe furnizime mjekësore në vijat e frontit.
Për t’iu kundërvënë kërcënimit, SHBA ka vendosur 8,500 trupa në “gadishmëri të shtuar” (Kjo është më pak se 10% e forcave ruse… Putini duhet të jetë i tmerruar). SHBA po u premton gjithashtu aleatëve të saj evropianë se mund të sigurojë mjaftueshëm naftë dhe gaz natyror për të përmbushur kërkesat e tyre nëse Rusia ndërpret furnizimin e BE-së.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov ka përsëritur vazhdimisht atë që disa zyrtarë rusë kanë këmbëngulur prej muajsh: se Rusia nuk dëshiron luftë, por është e gatshme t’i përgjigjet provokimeve nga SHBA dhe Ukraina.
Sa për Kievin – ai u ka thënë të gjithëve që të qetësohen. Sipas fjalëve të ministrit të Mbrojtjes Oleksii Reznikov: “Mos u shqetësoni, flini mirë”, ndërsa zyrtarët rusë dhe ukrainas mbajnë bisedime në Paris dhe premtojnë të mbajnë një armëpushim në Ukrainën Lindore “pa kushte”.
Mos u ndjeni keq nëse jeni konfuz. Në sipërfaqe, shumë pak nga kjo ka kuptim. Gjeopolitika, sidoqoftë, mund të na ndriçojë rrugën – dhe gjithashtu mund të ndihmojë për të kuptuar saktësisht se si dhe pse kjo duhet të ketë rëndësi edhe për investitorët globalë.
Nevoja për thellësi strategjike
Pse Rusia shqetësohet kaq shumë për Ukrainën? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë dy harta.
Më sipër është një hartë e thjeshtë e dendësisë së popullsisë së Rusisë. Të dhënat janë të vitit 2000, por mos u shqetësoni – dendësia e popullsisë së Rusisë nuk ka ndryshuar aq shumë që atëherë. Në letër, Rusia duket si një vend i madh. Në të vërtetë, është vendi më i madh në botë për sa i përket sipërfaqes totale, 17 milionë kilometra katrorë. Rusia është pothuajse dy herë më e madhe se shteti që e ndjek – Kanadaja.
Sidoqoftë, në këtë rast, madhësia nuk ka rëndësi. Ose të paktën, jo ashtu siç mund të mendoni. Shumica e qytetarëve të Rusisë jetojnë rreth dy qendrave kryesore të popullsisë: Moska në veri, dhe brezi pjellor i tokës midis Detit të Zi që shtrihet në Kazakistan, i quajtur shpesh “Toka e Zezë” në Rusi. Pjesa më e madhe e Rusisë lindore është në thelb e papopulluar – kjo tundër mizore dhe e ngrirë është e papërshtatshme përveçse për të pirë shumë vodka – por këtu ndodhet edhe pjesa më e madhe e naftës dhe gazit natyror të Rusisë.
Çështja kryesore nga harta e mësipërme është e thjeshtë: Rusia, sado që pretendon të jetë një vend “euroaziatik”, dhe pavarësisht se ka territor të gjerë në Azi, është në thelb dhe do të jetë gjithmonë një vend evropian. Mendoni për Moskën si skajin lindor të Evropës. Rusia ka shumë më tepër të përbashkëta me Evropën sesa me fqinjët e saj aziatikë, si Japonia, Kina dhe Mongolia. Gjeopolitika e Evropës ka rëndësi për Rusinë, sepse shumica dërrmuese e popullsisë ruse jeton në Evropë.
Harta e dytë është një hartë e thjeshtë topografike e Evropës.
Vini re se ku harta është e gjelbër. Këto janë zona me lartësi të ulët, kryesisht pa pengesa gjeografike. Vini re se një rrip i madh i gjelbër në atë hartë shtrihet nga plazhet e Normandisë, përmes disa prej kryeqyteteve të mëdha historike të Evropës – Parisi, Brukseli, Amsterdami, Berlini, Varshava dhe Minsk – deri në Moskë. Me përjashtim të disa kodrave të vogla rreth Moskës, një tank mund të çajë gjatësinë e kësaj shtrirje praktikisht deri në malet Urale, thellë në territorin rus.
- Kjo është autostrada pushtuese e Evropës. (Emri i vërtetë është “Ultësira e Evropës Veriore.”) Për sa kohë që ju jetoni, gjeopolitika e Evropës ka funksionuar në atë mënyrë që fuqitë në perëndim të Moskës kanë pasur frikë se Rusia do të projektojë fuqinë nga jashtë – dhe do të shpjerë trupa e tanke përmes saj.
- Megjithatë, për pjesën më të madhe të historisë së Rusisë, Moska kishte po aq shumë për t’u frikësuar nga Perëndimi sa Perëndimi kishte për t’u frikësuar nga Rusia. Gjatë Luftës Polako-Moskovite 1609-1618, ushtarët nga Komonuelthi Polako-Lituanez – dikur vendi më i madh në Evropë – pushtuan Moskën. 200 vjet më vonë, Napoleoni dhe Armata e tij e Madhe luftuan për në Moskë, vetëm për ta gjetur qytetin të braktisur dhe të djegur. Makina e luftës naziste u përpoq të vazhdonte aty ku Napoleoni e la, por si Napoleoni, u kap në dimrin rus dhe përfundimisht u mund.
- Nëse SHBA-të premtuan të mos shtojnë asnjë vend të Evropës Lindore në NATO pas rënies së Bashkimit Sovjetik – për të cilin Rusia vazhdon të ankohet si pretekst për lëvizjet e saj agresive – është e parëndësishme. Rusia do të gjente një justifikim tjetër për lëvizjet e saj në Evropën Lindore nëse NATO-ja nuk do të ekzistonte – jo sepse Presidenti Vladimir Putin është i keq dhe jo sepse Rusia dëshiron të pushtojë botën – por sepse duke e pare gjeografikisht, Rusia gjendet në një pozitë të dobët.
Përgjatë shekujve, qasja e Rusisë për korrigjimin e kësaj dobësie ka qenë e thjeshtë: arritja e thellësisë strategjike (d.m.th. rritjen e kufijve kombëtarë ose, të paktën, fuqinë politike). Siç mund ta shihni në hartë, Ultësira e Evropës Veriore zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme në Poloni përpara se të godasë Balltikun, Bjellorusinë dhe Ukrainën – të gjitha këto shtrihen në një zonë të hapur dhe të sheshtë. Kur Rusia është e fortë, ajo përpiqet të rrisë thellësinë strategjike aq sa mundet në Perëndim. Ukraina është një vend kyç që Rusia ta kontrollojë, jo vetëm sepse është streha e disa prej tokave më pjellore në Evropë, por sepse kufiri natyror i Ukrainës përfundon me malet Karpate. Ky është një kufi shumë më i mbrojtur se kufijtë aktualë të Rusisë.
- Ky botëkuptim strategjik është shumë i vështirë për tu mirëkuptuar nga një amerikan mesatar. Evropianët mund ta kuptojnë më mirë sepse i kuptojnë grackat e të pasurit rivalë historikë kaq afër kufijve. Kina gjithashtu ndan një farë ndjeshmërie me këtë botëkuptim – për pjesën më të madhe të historisë së saj, Kina ka qenë gjithmonë një fuqi tokësore, dhe në të njëjtën mënyrë si Rusia shtyn Perëndimin, Kina shtyn Perëndimin, madje edhe duke ndërtuar Mure të Mëdha në përpjekje për të mbajtur jashtë pushtuesit barbarë.
- Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, jetojnë në një realitet alternativ. Për më shumë se një shekull, SHBA nuk ka pasur asgjë për t’u frikësuar nga Kanadaja apo Meksika – asnjëra nuk ka qenë aq e fortë sa të paraqesë një kërcënim ekzistencial për sigurinë kombëtare të SHBA. SHBA-të nuk duhet të pushtojnë për të pasur thellësi strategjike: SHBA-të gëzojnë thellësi strategjike thjesht duke ekzistuar. Oqeani Atlantik dhe Paqësor e izolojnë SHBA-në nga pjesa tjetër e problemeve të botës. Pasi SHBA mori Teksasin dhe Kaliforninë nga Meksika pas Luftës Meksiko-Amerikane në 1848, SHBA nuk duhej të pushtonin ndonjë territor shtesë për t’u ndjerë të sigurt.
Kur presidenti rus Vladimir Putin thotë gjëra të tilla si: “Shembja e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit [të kaluar]”, ai nuk po ankohet për fatin e proletariatit global (për tmerrin e Leninit). Ai po ankohet për humbjen e thellësisë strategjike nga Rusia – një humbje që Putini e ka kaluar gjithë sundimin e tij duke u përpjekur ta korrigjojë. Pavarësisht se kush është President i Rusisë, pavarësisht se cila është ideologjia e tij ose e saj, Rusia ka një imperativ të zgjerohet në Karpate qoftë politikisht, qoftë me forcë ushtarake, për të siguruar mbrojtjen e territorit të saj. Gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë kështu.
Revolucioni Maidan
Dhe këtu qëndron pjesa e fundit e kontekstit që ju nevojitet për të kuptuar se çfarë po ndodh në Ukrainë. Në vitin 2014, Ukraina pati Revolucionin Maidan (Revolucioni i Dinjitetit). Rezultati i revolucionit ishte që një president pro-rus u përjashtua nga detyra, një qeveri pro-perëndimore u krijua në Kiev dhe Rusia pushtoi Krimenë ndërsa nxiste një kryengritje të vazhdueshme në Ukrainën Lindore, veçanërisht në zonat pro-ruse të quajtura Donetsk dhe Luhansk, te cilat tani pretendojnë pavarësinë nga Ukraina (së fundmi e njohur nga Moska. Shën i përkth).
Maidan ishte një fatkeqësi e papranueshme për Rusinë dhe një dështim suprem i inteligjencës. Rusia nuk ishte në dijeni të kryengritjes derisa ishte tepër vonë për të bërë diçka për të garantuar interesat e Rusisë atje. Marrja e Krimesë nga Rusia nuk ishte një shembull i forcës ruse – ishte minimumi që Rusia u ndje e detyruar të bënte për të garantuar sigurinë e saj. Për të shtuar fyerjen ndaj lëndimit, në një zhvillim të palidhur menjëherë pas Maidan-it, çmimi i naftës ra me shpejtësi, duke rënë nga 108 dollarë për fuçi në qershor 2014 në 44 dollarë për fuçi deri në janar 2015. Rusia ishte e dobët dhe e varfër dhe cari nuk kishte rroba.
Që atëherë, Putini është përpjekur të rregullojë gabimin e vitit 2014 në Ukrainë. Rusia nuk preferon të aneksojë pjesë të Ukrainës Lindore – përkundrazi, kjo do të nxirrte nga elektorati ukrainas popullatat e vlefshme pro-ruse në Ukrainë, duke u garantuar përjetësi të gjitha qeverive pro-perëndimore në Kiev. Pra, Rusia ka nxitur një kryengritje të nivelit të ulët në Donetsk dhe Luhansk për vite me radhë, ndërsa negocionte me Ukrainën, Francën dhe Gjermaninë. Rusia ka shpenzuar gjithashtu 7 vitet e fundit duke rimbushur rezervat e saj valutore dhe duke u përpjekur të zhvillojë aspekte të tjera të ekonomisë së saj, kështu që nuk është aq e varur nga nafta (me rezultate të përziera, por ne nuk do të devijojmë). Së fundi, çmimet e energjisë kohët e fundit kanë filluar t’iu afrohen niveleve te tyre të vitit 2014, dhe bashkë me të, Rusia po gëzon ndikim mbi Evropën që nuk e ka gëzuar për gati një dekadë.
Plus, Putin duket se mendon se mund të bëjë një marrëveshje me presidentin amerikan Joe Biden. Disa analistë rusë spekulojnë se kjo është për shkak se Kremlini mendon se Biden do të zgjasë vetëm një mandat. Unë jam më i bindur nga argumenti se Rusia mendon se Biden ka hapësirë për të bërë një marrëveshje për shkak se sa i ashpër ka qenë Biden me Rusinë retorikisht. Mbani mend – ish-presidenti i SHBA Richard Nixon ishte skifteri kinez më antikomunist deri sa u bë president dhe bëri një marrëveshje për të hequr dorë nga njohja e Tajvanit dhe për të përqafuar Kinën. Në të njëjtën mënyrë që Nixon bëri mirë me Kinën për të luftuar Rusinë, Putini mund të shpresojë se SHBA do të bëjë mirë me Rusinë për të luftuar Kinën.
Sido që të jetë rasti, çelësi për t’u mbajtur mend është ky: Rusia po luan një dorë të dobët në Ukrainë. Po e luan atë dorë me mjeshtëri, duke marrë parasysh të gjitha gjërat – por është ende një dorë e dobët. Lëvizjet e Rusisë janë agresive, por nuk janë sulmuese – ato janë kryesisht mbrojtëse. Rusia është në ndjekje të thellësisë strategjike dhe përpjekja për një pushtim të rrezikshëm të një vendi më të madh se Franca dhe me një popullsi armiqësore prej mbi 40 milionë banorësh (Ukraina) është një recetë për humbje.
Mos harroni atë që tha Lavrov – Rusia do të veprojë nëse ndihet e kërcënuar. Ne mendojmë se Lavrov e thotë këtë sepse Rusia nuk dëshiron luftë – jo sepse besojmë te Lavrov, por sepse lufta do të ishte e keqe për Rusinë. Zgjidhja ideale e Rusisë, megjithatë, do të ishte një lloj marrëveshjeje politike që zyrtarizon shqetësimet e saj të sigurisë në lidhje me zgjerimin e NATO-s dhe çimenton ndikimin e saj në Ukrainë. Me fjalë të tjera, nëse gjeopolitika është e drejtë, atëherë Putini nuk dëshiron të pushtojë Ukrainën. Ai po bën bllof me pushtimin për të marrë atë që dëshiron vërtet (thellësi strategjike duke rritur sferën e ndikimit të Rusisë te Karpatet) me një kosto më të ulët. Ky imperativ do të frymëzoje të gjitha lëvizjet e ardhshme të Rusisë.
Pse ka rëndësi për investitorët
Tani që mund ta kuptojmë më mirë këndvështrimin e Rusisë, le të përpiqemi të ekstrapolojmë dhe të theksojmë pse konflikti Rusi-Ukrainë ka rëndësi jo vetëm për zyrtarët e qeverisë dhe analistët gjeopolitikë, por veçanërisht për investitorët.
Arsyeja më e dukshme është se Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë dhe ofruesi më i rëndësishëm i naftës dhe gazit natyror për Bashkimin Evropian. Në tremujorin e parë të 2021, BE importoi 47% të gazit të saj natyror nga Rusia, duke u rritur nga 44% në 2020. Për më tepër, varësia e BE-së nga gazi natyror rus pritet të rritet në afat të shkurtër, kryesisht për shkak të vjetërsimit së infrastrukturës bërthamore, edhe pse BE-ja i jep përparësi burimeve të rinovueshme në planin afatgjatë.
Pamja është pak më e mirë për naftën – Rusia përbënte vetëm 25% të importeve të naftës për BE-ne në tremujorin e parë të 2021. Megjithatë, kjo është ende shifër e madhe dhe do të ishte shumë e vështirë për SHBA-të dhe aleatët e saj ta zëvendësonin këtë në rast të ndërprerjeve afatshkurtra, veçanërisht pasi modelet e motit tregojnë se temperaturat më të ftohta të dimrit të Evropës janë ende përpara. Në raportin më të fundit të BE-së, inflacioni u rrit me 5% – kryesisht për shkak të faktit se çmimet e energjisë u rritën me 26% nga viti i kaluar.
Rusia, megjithatë, nuk është një ekonomi kaq e vogël. Skenari i rastit më të keq për një luftë të plotë Rusi-Ukrainë nuk është një kopje e embargos së naftës të OPEC në vitin 1973, sepse Rusia është një ekonomi shume më e larmishme se çfarë ka qenë ndonjëherë Arabia Saudite.
Konsideroni këtë:
- Rusia është, për shembull, eksportuesi kryesor global i plehrave kimik në botë. Çmimet më të larta të gazit natyror kanë çuar tashmë çmimet e plehrave kimik në nivele të reja – gazi natyror është kritik për prodhimin e amoniakut dhe amoniaku përbën 80% të kostos për prodhimin e plehrave azotike, plehrat më të përdorura në Evropë për një sërë kulturash. Shtoni një luftë Rusi-Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë që do të pasonin, dhe papritmas i gjithë zinxhiri i furnizimit me ushqime fillon të duket i dobët. Dhe kjo i shtohet çmimeve tanimë më të lartë të ushqimeve që kanë qenë në një dekadë.
- Rusia është gjithashtu eksportuesi kryesor global i nikelit, duke zënë mbi 12% të eksporteve globale. Nikeli është një metal i gjithanshëm: pika e tij e lartë e shkrirjes, rezistenca natyrore dhe lehtësia me të cilën mund të kombinohet me elementë të tjerë e bëjnë atë kritik për prodhimin e aliazheve, më i rëndësishmi prej të cilëve është çeliku inoks. Nikeli është gjithashtu kritik për teknologjitë më të avancuara të baterive litium-jon. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare te Energjisë (IEA), kërkesa e teknologjive të energjisë së pastër për nikel do të rritet midis 30% dhe 60% në dy dekadat e ardhshme. Një luftë Rusi-Ukrainë do të rriste më pas kostot e çdo gjëje, nga pjatalarësja e re që shpresonit ta vendosnit në kuzhinë deri tek Tesla e re që Elon Musk dëshiron që ju të blini (kjo është arsyeja pse Tesla është përpjekur dëshpërimisht të sigurojë furnizimin me nikel).
- Rusia është eksportuesi më i madh i grurit (mbi 17% të përqindjes globale) dhe eksportuesi i tretë më i madh i elbit (12%) në botë. Ukraina është eksportuesi i katërt më i madh i misrit dhe elbit (mbi 13% dhe 11%, respektivisht) dhe eksportuesi i pestë më i madh i grurit (8%). Në muajt e fundit, Rusia e ka rritur çmimin e grurit duke zbatuar një taksë lundruese për eksportin e grurit në muajt e fundit. Arsyeja e e bere publike është një parashikim zhgënjyes i të korrave 2021-2022, por unë nuk mund të mos pyes veten nëse Moska dëshiron që të gjithë të mendojnë se po përgatitet të shkëputet nga tregjet globale dhe po siguron furnizimin e brendshëm.
Kuptohet, rubla ruse ka qenë nën presion të konsiderueshëm që kur Putini filloi të rriste presionin ndaj Ukrainës. Banka e Rusisë pezulloi blerjet e valutës së huaj më 24 janar për të “ulur paqëndrueshmërinë e tregjeve financiare”. Nuk është për t’u habitur që tregu i aksioneve ruse ka parë paqëndrueshmëri të fortë, me investitorët rusë që shesin për shkak të frikës se bankat shtetërore ose kompanitë e naftës do të përballen me sanksionet gjymtuese për të cilat Biden vazhdon të paralajmërojë.
Gjithashtu nuk mund të mos pyes veten nëse është rastësi që Banka e Rusisë zgjodhi tani të publikojë një raport 37 faqesh mbi kriptovalutat duke i karakterizuar ato si një “skemë piramidale financiare” dhe duke i kërkuar qeverisë ruse të ndalojë emetimi, tregtimi dhe mbajtjen e kriptomonedhave në territorin rus, për të ndaluar organizatat financiare të investojnë në çdo instrument me kriptovaluta dhe për të zbatuar ndalimet ligjore për kriptovalutat aktualisht në fuqi. Me rublën nën një presion kaq të madh, vëllimi i tregtimit të kriptomonedhave në Rusi është rritur. Do të ishte turp që Rusia të kishte shpenzuar kaq shumë kohë dhe energji duke u de-dollarizuar vetëm për ta gjetur veten të ekspozuar ndaj një dashnore edhe më të paqëndrueshme.
Në fund të fundit, ndikimi i investimeve të krizës Rusi-Ukrainë do të tregojë se sa serioze është Rusia. Nëse gabohem për qëllimet e Rusisë – nëse Rusia me të vërtetë po përgatitet për një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës – Perëndimi do të reagojë me sanksione kundër Rusisë që do të jehojnë në të gjithë ekonominë globale ndërsa çmimet e energjisë dhe çmimet e ushqimeve rriten fort. Nëse kjo ndodh, nuk keni parë ende asgjë me inflacionin. Është pikërisht për shkak të kësaj që unë e vlerësoj probabilitetin e pushtimit të plotë si mjaft të ulët – është një shkatërrim reciprok i sigurt.
Nëse gjërat vazhdojnë siç kanë qenë – vazhdimi i dialogut që çon në një lloj zgjidhjeje, ose të paktën ne një stanjacion – prisni më shumë nga e njëjta gjë, p.sh., në afat të shkurtër, çmime më të larta të energjisë, një rubla më e dobët, vlerë në rënie mbi aksionet ruse, dhe vlerë në rritje mbi mallrat kryesore ruse, si gruri, plehrat dhe nikeli, në muajt e ardhshëm – të gjitha këto paraqesin mundësi interesante për guximtarët nëse, siç sugjeron gjeopolitika, kjo situatë zgjidhet vetë pa një luftë në shkallë të gjerë.
Burimi: Lykeion
Jacob L. Shapiro është Drejtor i Analizës Gjeopolitike në Investimet Kognitive, Redaktor i Gjeopolitikës në Lykeion dhe Themelues/Shef Strateg në Perch Perspectives. Mund ta ndiqni në Twitter @JacobShap.
Të Fundit
Nuk ekziston diçka e tillë si shoqëria sekulare. Pretendimi im është njëkohësisht brutal dhe paradoksal: çështja…
Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor…
Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…
Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…
Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…
Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…