Rreziqet nga indiferenca

Tragjedia dëshpëruese e anijes Sent Ljuis është një shembull për këtë. Gjashtëdhjetë vite të shkuara, ngarkesa e saj njerëzore – afro 1000 hebrenj – u kthye mbrapsht në Gjermaninë naziste.

President, Znj. Klinton, anëtarë të Kongresit, ambasador Hollbruk, Shkëlqesi, miq:

Sot pesëdhjetë e katër vite më parë, një djalosh hebre nga një qytezë e vogël në malet Karpate u zgjua, jo shum larg nga Vajmari i dashur i Gëtes, në një vend të çnderimit së përjetshëm të quajtur Buhenvald. Më në fund ai ishte i lirë, por në zemrën e tij nuk kishte gëzim. Ai mendonte se nuk do të kishte më kurrë gëzim. I liruar një ditë më parë nga ushtarët amerikanë, ai kujton zemërimin e tyre ndaj asaj që panë. Edhe nëse jeton deri në moshë të thyer, ai do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj tyre për atë zemërim dhe për dhembshurinë e tyre gjithashtu. Ndonëse, ai nuk e kuptonte gjuhën e tyre, sytë e tyre i tregonin atë që duhej të dinte – që edhe ata do ta mbanin mend dhe të ishin dëshmitarë.

Tani, qëndroj përpara jush, Z. President – Komandant i ushtrisë që më liroi mua dhe dhjetëra mijëra të tjrë – i mbushur me mirënjohje të thellë dhe të përhershme ndaj popullit amerikan. “Mirënjohja” është një fjalë, të cilën e dua fort. Mirënjohja është ajo që e përkufizon njerëzishmërinë e qenies njerëzore. Jam mirënjohës ndaj jush, Hillary, apo Znj. Klinton, për atë që thatë dhe për atë që po bëni për fëmijët ne botë, për të pastrehët, për viktimat e padrejtësisë, viktimat e fatit dhe shoqërisë. E ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj këtu.

Ne jemi në pragun e një shekulli të ri, një mijëvjeçari të ri. Çfarë do të mbetet si trashëgimi e këtij shekulli që po shkon? Si do të mbahet mend në mijëvjeçarin e ri? S’do mend se do të gjykohet, do të gjykohet ashpër, si në rrafshin moral, edhe atë metafizik. Këto dështime kanë hedhur një hije të errët mbi njerëzimin: dy Luftëra Botërore, luftëra civile të panumërta, zinxhiri i pakuptimtë i vrasjeve (Gandi, vëllezërit Kenedi, Martin Luterking, Sadati, Rabini), gjakderdhjet në Kamboxhia dhe Algjeri, Indi dhe Pakistan, Irlandë dhe Ruanda, Eritre dhe Etiopi, Sarajevë dhe Kosovë: shtazëria e gulagëve dhe tragjedia në Hiroshima. E, në një nivel të ndryshëm sigurisht, Aushvici dhe Treblinka. Kaq shumë dhunë, kaq shumë indiferencë.

Çfarë është indiferenca? Etimologjikisht, fjala ka kuptimin “pa dallim”. Një gjendje e çuditshme dhe e panatyrshme në të cilën mjegullohen kufinjtë ndërmjet dritës dhe errësirës, muzgut dhe agimit, krimit dhe ndëshkimit, mizorisë dhe dhembshurisë, të mirës dhe të keqes. Cilat janë rrjedhat dhe pasojat e saj të pashmangshme? A është filozofi ajo? A mund të përfytyrohet një filozofi e indiferencës? A ka njeri ta përfytyrojë indiferencën si virtyt? A është e nevojshme kohë pas kohë që të vihet në jetë thjesht për të ruajtur mirëqenien, jetuar normalisht, shijuar një vakt të mirë dhe një gotë verë, ndërsa bota rreth nesh përjeton tronditje pikëlluese?

Sigurisht, indiferenca mund të jetë tunduese – më shumë se kaq, joshëse. Është shumë më e lehtë të mos ua hedhësh sytë viktimave. Është shumë më e lehtë të shmangës ndërprerje kaq vrazhda të punëve, ëndrrave dhe shpresave tona. Është, mbi të gjitha, e sikletshme, sfilitëse të përfshihesh në dhimbjen dhe dëshpërimin e një tjetri. Për më tepër, për indiferentin, fqinjët e tij nuk kanë rëndësi. Prandaj, jetët e tyre nuk kanë kuptim. Ankthi i tyre i fshehtë apo i dukshëm nuk i intereson. Indiferenca e thjeshton Tjetrin në abstraksion.

Atje përtej portave të zeza të Aushvicit, më tragjikët ndër të burgosurit ishin “muselmanët”, siç quheshin. Të mbështjellë në batanijet e tyre të shkyera, uleshin apo shtriheshin në përtokë, duke vështruar të përhumbur në hapësirë, të pavetëdijshëm se kush ishin dhe ku ishin – të huaj ndaj asaj që i rrethonte. Ata nuk ndjenin dhimbje më, as uri, as etje. Ata nuk i frikësoheshin asgjëje. Nuk ndjenin asgjë. Ishin të vdekur dhe nuk e dinin këtë.

Të lidhur fort pas traditës sonë, disa prej nesh besonim se të braktiseshe nga njerëzimi atëbotë nuk ishte fundi i çgjithçkaje. Ne besonim se të jesh i braktisur nga Zoti ishte më keq se të dënohesh prej Tij. Më mirë një Zot i padrejtë sesa një i tillë indiferent. Të injoroheshe nga Zoti, për ne ishte një ndëshkim më i ashpër sesa të ishe viktimë e zemërimit të Tij. Njeriu mund të jetojë larg Zotit – jo jashtë Zotit. Zoti është kudo që jemi. Edhe në vuajtje? Edhe në vuajtje.

Në njëfarë mënyre, të jesh indifferent ndaj asaj vuajtje është ajo që e bën qenien njerëzore jonjerëzore. Indiferenca, mbi të gjitha, është më e rrezikshme se zemërimi dhe urretja. Zemërimi ndodh të jetë krijimtar shpeshherë. Mund të shkruash një poemë të madhe, një simfoni të madhe. Mund të bësh diçka të veçantë për hir të njerëzimit, sepse mund të jesh i zemëruar me padrejtësinë që sheh. Por indiferenca nuk është kurrë krijimtare. Edhe urrejtja ndodh të nxjerrë një përgjigje ndonjëherë. E lufton. E denoncon. E çarmatos.

Indiferenca nuk nxjerr asnjë fjalë. Indiferenca nuk është përgjigje. Indiferenca nuk është fillim; është fund. E, prandaj, indiferenca është gjithmonë mik me armikun, sepse ajo i bën dobi agresorit – kurrë viktimës së tij, dhimbja e të cilit shumëfishohet kur ai ndjehet i harruar. Të mos i përgjigjesh klithmës, të mos ua lehtësosh dhimbjen duke u ofruar një shkëndijë shprese të burgosurit politik në qelinë e tij, fëmijëve të uritur, refugjatëve të pastrehë, do të thotë t’i dëboash nga kujtesa njerëzore. E duke mohuar humanitetin e tyre, ne tradhëtojmë humanitetin tonë.

Indiferenca, pra, nuk është thjesht mëkat. Është ndëshkim.

Ky është një ndër leksionet më të rëndësishme të eksperimenteve të mëdha të këtij shekulli që po ik, me të mirën dhe të keqen.

Në vendin nga vij, shoqria përbëhej nga tre kategori të thjeshta: vrasësit, viktimat dhe spektatorët. Në më të errëtën kohë, në brendësi të getove dhe kampeve të vdekjes – dhe jam i lumtur që Znj. Klinton përmendi se sot po e përkujtojmë atë ngjarje, atë periudhë, që sot jemi në Ditët e Përkujtimit – por atëherë, ne ndjeheshim të braktisur, të harruar. Të gjithë ne.

Ngushëllimi ynë i vetëm i mjerë ishte se ne besonim se Aushvici dhe Treblinka qenë sekrete të ruajtura mirë; që udhëheqësit e botës së lirë nuk e dinin çfarë po ndodhte pas atyre portave të zeza dhe telave me gjemba; që ata nuk kishin asnjë ide për luftën që ushtritë e Hitlerit dhe bashkëfajtorët e tyre zhvillonin kundër hebrenjve si pjesë e luftës ndaj aleatëve. Po ta dinin, besonim ne, sigurisht këta udhëheqës do të kishin lëvizur tokë e qiell për t ëndërhyrë. Do të kishin folur me zë të lartë, me forcë dhe bindje. Do të kishin bombarduar hekurudhat që çonin në Birkenau, vetëm hekurudhat, vetëm njëherë.

Tani ne u vetëdijësuam, e mësuam, e zbuluam se Pentagoni e dinte, Departamenti i Shtetit e dinte. Banori i shquar i Shtëpisë së Bardhë atëbotë, i cili ishte një udhëheqës i madh – e them këtë me njëfarë vuajtjeje dhe dhimbjeje, sepse, sot shënohet saktësisht 54-vjetori i vdekjes së tij – Franklin Delano Ruzvelt vdiq më 12 prill, 1945. Ndaj ai është shumë i pranishëm tek unë dhe tek ne. S’ka dyshim, se ai qe një udhëheqës i madh. Ai mobilizoi popullin amerikan dhe botën, duke hyrë në luftë, duke sjellë qindra dhe mijëra ushtarë ushtarë amerikanë trima dhe guximtarë për të luftuar fashizmin, diktaturën, Hitlerin. Kaq shumë të rinj ranë në betejë. E, prapëseprapë, imazhi i tij në historinë hebraike, – më duhet ta them – imazhi i tij në historinë hebraike është i cenuar.

Tragjedia dëshpëruese e anijes Sent Ljuis është një shembull për këtë. Gjashtëdhjetë vite të shkuara, ngarkesa e saj njerëzore – afro 1000 hebrenj – u kthye mbrapsht në Gjermaninë naziste. Kjo ndodhi pas Kristallnacht-it, pas masakrës së parë të nxitur nga shteti, me qindra dyqane hebrenjsh të shkatërruara, sinagoga të djegura dhe mijëra njerëz që përfunduan në kampet e përqëndrimit. E ajo anije, që tashmë kishte mbërritur në brigjet e Shteteve të Bashkuara, u kthye mrapsht. Nuk e kuptoj dot. Ruzvelti ishte njeri i mirë, i përzemërt. Ai i kuptonte ata që kishin nevojë për ndihmë. Pse nuk i lejoi këta refugjatë të zbresin? Një mijë njerëz – në Amerikë, në vendin e madh, demokracinë më të madhe, më bujarin ndër të gjitha kombet në historinë moderne. Çfarë ndodhi? Unë nuk e kuptoj.  Pse kjo indiferencë, në nivelin më të lartë, ndaj vuajtjes së viktimave?

Por atëherë, kishte qenie njerëzore që qenë të ndjeshëm ndaj tragjedisë sonë. Ata johebrenj, të krishterë, që ne i quajmë “Xhentilët e Drejtë”, aktet altruiste heroike të të cilëve shpëtuan nderin e besimit të tyre. Pse ishin kaq pak ata? Pse përpjekja për të shpëtuar vrasësit SS pas lufte ishte më e madhe sesa ajo për të shpëtuar viktimat gjatë luftës? Përse disa nga korporatat më të mëdha të Amerikës vazhduan biznesin me Gjermaninë e Hitlerit deri në vitin 1942? Është pohuar, dhe kjo është dokumentuar, se Vermahti nuk do të kishte qenë në gjendje të kryente pushtimin e Franës pa naftën e siguruar nga burimet amerikane. Si duhet ta shpjegojmë indiferencën e tyre?

Por prapëseprapë, miqtë e mi, gjëra të mira kanë ndodhur gjithashtu në këtë shekull traumatik: disfata e nazizmit, rënia e komunizmit, rilindja e Izraelit në tokën e tij stërgjyshore, dorëzimi i aparteidit, traktati i paqes ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit, marrëveshja e paqes në Irlandë. E le ta kujtojmë takimin, plot dramë dhe emocion, ndërmjet Rabinit dhe Arafatit, që ju, Z. President e thërritët bash në këtë vend. Isha këtu dhe nuk do ta harroj kurrë.

Dhe më tej, sigurisht, vendimin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë dhe për të shpëtuar ato viktima, ata refugjatë që u shkulën nga një njeri, i cili për shkak të krimeve të tij, unë besoj se duhet të akuzohet për krime kundër njerëzimit.

Por këtë herë, bota nuk heshti. Këtë herë, ne përgjigjemi. Këtë herë, ne ndërhyjmë.

A do të thotë kjo se kemi marrë mësim nga e shkuara? A do të thotë kjo se shoqëria ka ndryshuar? A është bërë qenia njerëzore më pak indiferente dhe më shumë njerëzore? Njëmend kemi nxjerrë mësime nga përvoja jonë? A jemi vallë më pak të pandjeshëm ndaj sikletit të viktimave të spastrimit etnik dhe formave të tjera të padrejtësive në vendet afër dhe larg nesh? A është ndërhyrja e justifikuar në Kosovë, e udhëhequr nga ju, Z. President, një paralajmërim i përhershëm se kurrë më në botë nuk do të lejohet deportimi, terrorizimi i fëmijëve dhe prindërve të tyre? A do t’i shkurajojë diktatorët e tjerë në vende të tjera të bëjnë të njejtën gjë?

Por për fëmijët? Oh, i shohim në televizion, lexojmë rreth tyre në gazeta me zemër të thyer. Fati i tyre është gjithmonë më tragjiku, pashmangshmërisht. Kur të rriturit ndezin luftën, fëmijët vdesin. Ne shohim fytyrat e tyre, sytë e tyre. A i dëgjojmë lutjet e tyre? A e ndjejmë dhimbjen e tyre, grahmën e tyre? Çdo minutë një prej tyre vdes nga sëmundja, dhuna, uria.

Një pjesë e tyre – shumë prej tyre – mund të shpëtoheshin.

E kështu, përsëri, unë mendoj për djaloshin hebre nga malet Karpate. Ai më ka shoqëruar mua plakun gjatë viteve të kërkimit dhe përpjekjes. Dhe së bashku, ne ecim drejt mijëvjeçarit të ri, kaluar mbi frikën e thellë dhe shpresën e jashtëzakonshme.

Përktheu: Vehap Kola

*Fjalim i mbajtur më 12 prill, 1999 në Shtëpinë e Bardhë

**Elie Wiesel është professor dhe aktivist politik hebreo-amerikan, i mbijetuar i kampit nazist të Aushvicit.

Similar Posts