Roxher Skruton është heretiku për të cilin kemi nevojë

Në vitin 1980, Skruton ishte bërë praktikisht i papunësueshëm në akademinë britanike, me publikimin e librit të tij Kuptimi i Konservatorizmit.

Shkruar nga

Pas vdekjes së burrave dhe grave të mëdha, reputacioni i tyre shpesh bie. Nekrologjitë e bollshme zakonisht ndiqen nga një rënie në interes. Duhet kohë që brezi i ri të zbulojë rishtas të mëdhenjtë dhe që reputacioni i tyre të ripërtërihet. Por unë dyshoj se ky rregull mund të jetë aplikuar ndonjëherë për Roxher Skruton.

Pozita e filozofit ishte në zenitin e saj kur ai vdiq vitin e kaluar në moshën 75-vjeçare. I dyti nga tre librat e tij të mëdhenj për Vagnerin sapo ka dalë; këshilla e tij kërkohej nga qeveria britanike; intelektualë dhe politikanë konservatorë anekënd Europës ishin të etur për aprovimin e tij. Jeta e tij mbaroi bash kur reputacioni i tij arriti në etapën ku do të të kishte qenë prej dekadash: ndonëse në kohën që iu afrua vdekja ai ishte bërë Sër Roxher Skruton, ai kishte kaluar shumë vite nga jeta e tij në një lloj izolimi intelektual, në mos shkretëtire.

Në vitin 1980, Skruton ishte bërë praktikisht i papunësueshëm në akademinë britanike, me publikimin e librit të tij Kuptimi i Konservatorizmit. Kolumna e tij në The Times, gjatë të njëjtës dekadë, e solli atë në vëmendjen e publikut të gjerë – por edhe e nxori atë mënjanë. Pak nga shkrimet e tij u bënë njohura. Në mesin e një lloj leftistësh, ai identifikohej si lugati i djathtë.

Në shkrim Skruton mund të paraqitej shpeshherë si më i ashpër se ç’ishte si person, por dija dhe urtësia e tij e bënë atë një polemist të pashoq. Kjo është pjesë e problemit të tij. E Majta jo vetëm nuk e simpatizonte atë, por i frikësohej atij, sepse ai gjithmonë dinte më shumë se ata. Në të vërtetë, ai dukej se dinte gjithmonë më shumë se kushdo tjetër. Ndoshta kjo është arsyeja përse, përgjatë karrierës së tij, ai u bë shenjestër e kaq shumë sulmeve personale të pazakonta. Këto përfshinin një shpifje kaq të rëndë saqë, kur gazeta e majtë përgjegjëse për shpifjen pagoi zhdëmtimin, ai arrit të bënte një parapagim për shtëpinë e tij të parë.

Por reputacioni i Skrutonit si një i dëbuar ishte, në njëfarë mënyrë, vetë thelbi i tij. Në vitet përpara vdekjes, ai u zbulua nga një gjeneratë të rinjsh të etur për të gjetur një vizion alternativ për jetën përballë atij vizioni që ofrohej nga akademia, media dhe kultura popullore dominuese. Ata erdhën tek ai dhe u inkurajuan prej tij. Ai madje organizonte seminare joformale për njerëz që i quante refugjatë nga akademia moderne.

Këto ishin jehona të seminareve shumë më të rrëzikshme që Skruton dhe të tjerë udhëhiqnin në vendet e Europës Lindore ndërsa lëngonin nën komunizëm – një lëvizje që u bë e njohur si universiteti i nëndheshëm. Puna e tij e guximshme duhet të ishte vlerësuar më shumë – veçanërisht pas vdekjes së tij. Skruton ofroi një vizion mjaft të rrallë për kohën e tij dhe mjaft më të rrallë për kohën tonë.

Por ka shumë shenja shpresëdhënëse se ai, post mortum, po fiton pranimin që meritonte: kjo javë sheh ribotimin e një prej veprave më të fundit të Skruton, titulluar Rrëfimet e një Heretiku. Vepra e tij doli për herë të parë në vitin 2016, e botuar nga Notting Hills Editions, dhe unë kam patur kënaqësinë të shkruaja një hyrje për të. Titulli – që ishte i vetë Roxherit – ka nevojë për njëfarë shpjegimi.

Kur njerëzit mendojnë rreth fjalës “heretik”, ata mund të imagjinojnë shumë gjëra, por ndoshta jo një filozof konservator të veshur me të leshta. Kur Skrutoni po e shkruante, ishte vërtet një gjë heretike të ishte konservator – ose të paktën intelektual konservator. Ka jo pak ironi në këtë fakt. Partia Konservatore ishte në pushtet përgjatë pjesës më të madhe të viteve 1980 dhe 90 dhe ishin pikërisht këto vitet kur Skruton ishte më i izoluar intelektualisht.

Sigurisht, të jesh një filozof konservator do të thoshte të ishe një hibrid i parehatshëm. Konservatori është nga natyra dyshues ndaj ideve të mëdha, por ide të tilla shihen si vetë buka e filozofisë. Skruton u ndesh me enigmën përgjatë karrierës së tij, duke gjetur rrugë për të justifikuar instiktet e mençura të njerëzve të mençur, kundër gënjeshtrave inteligjente të rrëfyera nga mendjelehtë briliantë.

Skruton ishte skrupoloz në përmbushjen e detyrës së domosdoshme të dërrmimit të mendjelehtëve dhe mashtruesve të epokës. Libri i tij, Mendimtarë të të Majtës së Re, u botua për herë të parë në vitin 1985; gjatë përgatitjes, Skrutoni i lexoi me kujdes të gjithë veprat e njerëzve që kritikonte: Zhak Derrida, Mishel Fuko, Zhan Pol Sartri dhe të tjerë. Ai i kuptoi ata – dhe si rezultat ndihmoi lexuesit e tij të shohin përtej tyre. Ai dekonstruktoi dekonstruksionistët. Ai e kuptoi rrezikun që vinte prej këtyre mendimtarëve përpara në kohë por nuk është se u falënderua për këtë.

Në fakt, ai censurua pasi herezia e tij e goditjes së filozofëve më të kremtuar të kohës s ëtij dhe Mendimtarëve të të Majtës së Re nuk u shit. Pirgje të mëdha kopjesh qëndronin në shtëpi, duke i shkaktuar atij ndjesi të mëdha dështimi. Por vepra e tij e gjeti kohën: në vitin 2015 ajo u publikua sërish në një botim të zgjeruar si Mendjelehtë, Mashtrues dhe Konfliktnxitës. Në atë kohë njerëzit e patën rrokur se për çfarë po fliste Skrutoni përpara rreth 30 viteve. Ata e kishin parë atë për të cilën ai ishte përpjekur t’i paralajmëronte dhe nisën të vënë veshin më shumë atij.

Rrëfimet e një Heretiku është një përzgjedhje esesh të pambledhura më parë që trajtojnë disa tema të zemëratës së Skruton. Ata prekin gjithashtu çështjet e pakoha të cilave ai u kushtoi energjinë e një jete të tërë. Ndonëse Skruton përshkruhej përgjithësisht si “filozof konservator”, ai duhej referuar thjesht si “filozof”. Shkrimet më të thella në librin e tij – “Përpjekja dhe e Pamundura” dhe “Refleksione mbi Metamorphosen të Shtrausit” për shembull – shkojnë shumë më thellë se thjesht politika.

Ndërsa po i rilexoja esetë sivjet, njëra syresh binte në sy – e atillë që e lexova në një dritë shumë të ndryshme. “Të Vdesësh në Kohë” është një meditim i thellë mbi vdekjen. Është e lehtë t’i qasesh kësaj eseje me një frikë se autori – i cili nuk kishte asnjë ide në atë moment që e shkroi se atij i kishin mbetur vetëm pak vite jetë – mund të mos e ketë përmbushur detyrën që i kishte vënë vetes. Skrutoni bëri më shumë se kaq. Pjesërisht kjo i dedikohet faktit që meditimi i tij mbi vdekjen është edhe një meditim mbi jetën – dhe afrohet aq shumë sa ç’mund të afrohej Skrutoni në veprën e tij shkrimit të një manifesti personal. “Çështja kryesore” shkruan ai, “sipas meje, është të ruash një jetë aktive me rreziqe dhe dashuri, duke kujtuar gjithmonë se vlera e jetës nuk qëndron në gjatësinë, por në thellësinë e saj.”

Pati edhe të tjerë nga brezi i tij që panë të njëjtat rreziqe politike, por shumë pak syresh i shpjeguan ato me një qartësi të këtillojtë. Shumë më pak të tillë ia dolën të ruajnë pozicionin e heretikut – dhe të dëbuarit – ndërsa mbronin rëndësinë e instiktit dhe traditës.

Meraku im është se reputacioni i Skrutonit vetëm do të rritet, ndërsa problemet për të cilat na paralajmëroi rriten në përmasat e tyre dhe nevoja për të gjetur rrugëdalje prej tyre të bëhet më e ngutshme. Ai mund të ketë shkruar me më shumë tronditje rreth vdekjes në kohë, por kushdo që është i interesuar të jetojë në kohë duhet ta mbërrijë veprën e tij.

Shqipërimi: Vehap Kola

Të Fundit


Pamundësia e shoqërisë sekulare

Pamundësia e shoqërisë sekulare

Nuk ekziston diçka e tillë si shoqëria sekulare. Pretendimi im është njëkohësisht brutal dhe paradoksal: çështja…

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor…

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…