Mbi një kuptim të përbashkët të krizës në Ukrainë

Shenja dalluese e politikës së administratës Trump ndaj Rusisë ishte ndjekja e vazhdueshme e pavarësisë totale të energjisë duke hapur prodhimin amerikan të naftës dhe gazit.

Shkruar nga

Ukraina, një vend në kufi me Rusinë dhe ish-pjesë e Bashkimit Sovjetik, është kandidate e pamundur për sakrificën e gjakut dhe pasurisë amerikane. Rreshtimi për Ukrainën rrezikon të ardhmen e qytetërimit amerikan, veçanërisht mbas zotimit zyrtar te Rusisë dhe Kinës komuniste për të mbështetur njëra-tjetrën në marrëveshjen e 4 shkurtit që forcoi “bashkëpunimin strategjik dypalësh”. Sigurisht, Rusia dhe Kina kanë qenë aleatë ideologjikë dhe strategjikë që nga vitet 1920; kjo marrëveshje e re sinjalizon se situata në Ukrainë është gati të bëhet serioze.

Shumica e amerikanëve kanë pikëpamjen e arsyeshme, të mbajtur që prej Themeluesve Amerikanë te John Quincy Adams, se ne jemi miq të lirisë kudo, por vetëm kujdestarë të lirisë sonë. Sado që të duam që populli i Ukrainës të gëzojë lirinë, nuk është detyrim i popullit të Shteteve të Bashkuara që ta realizojnë këtë qëllim për ukrainasit. Kjo është pikëpamja parimore e politikës së jashtme amerikane që mbizotëroi në pjesën më të madhe të historisë sonë.

Panorama praktike është më e zymtë

Rusia është një fuqi bërthamore me armë bërthamore strategjike dhe taktike. Arsenali i tyre është krijuar për të luftuar në Evropë, Azi dhe, nëse është e nevojshme, të shkatërrojë ushtrinë amerikane dhe atdheun amerikan. Ata kanë raketa të avancuara taktike dhe strategjike që mund të shkatërrojnë forcat ushtarake amerikane, grupet e betejës detare dhe, si raketa e testuar së fundmi e Kinës komuniste e pajisur me një mjet rihyrjeje hipersonike, mund të orbitojnë tokën, të rihyjnë në atmosferë dhe ose të shpërthejnë një qytet amerikan ose të shkatërrojnë elektromagnetikisht infrastrukturën elektrike të Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë fund jetës siç e njohim.

Kjo nuk do të thotë se rusët janë jashtëzakonisht të fuqishëm. Shtetet e Bashkuara kanë ushtri më shumë se të aftë që mund të projektojë forcë vdekjeprurëse kudo në Tokë. Por ajo që mund të fillojë si një inkursion i vogël në Ukrainë mund të përshkallëzohet me shpejtësi në diçka shumë më serioze. Çfarë ndodh nëse konflikti përshkallëzohet mes Rusisë dhe forcave amerikane?

Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë në luftime të vërteta në një shkallë të gjerë me një konkurrent për gati 70 vjet, dhe ne nuk kemi përjetuar viktima masive në fushën e betejës praktikisht brenda kujtesës së atyre që jetojnë. Rusët zotërojnë armë bërthamore taktike dhe artileri bërthamore në fushën e betejës. Nëse janë të përkushtuar për të marrë Ukrainën do të angazhohen gjithashtu për të fituar, në këtë rast nuk do të ishte e pamundur që të përdorin këto armë. Nëse do ta bënin dhe forcat amerikane do të vriteshin, cila mund të ishte përgjigja jonë?

Le ta pranojmë se Shtetet e Bashkuara nuk posedojnë një mbrojtje raketore kombëtare të aftë për të ndaluar raketat ballistike bërthamore ruse ose kineze apo edhe një raketë të lëshuar nga një anije iraniane. Këto nuk janë konsiderata dytësore, por janë thelbësore për çfarëdo përllogaritjeje strategjike që Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë kur bëhet fjalë për mënyrën se si ajo merret me Rusinë ose çdo komb tjetër me armë të tilla.

Megjithëse kemi kapacitetin teknologjik, Amerika nuk ka ndërtuar një mbrojtje efektive raketore me bazë hapësinore dhe me shumë shtresa të aftë për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht protestave të Rusisë dhe Kinës, sistemi ynë rudimentar i mbrojtjes raketore është, në rastin më të mirë, i aftë të ndalojë një numër të kufizuar raketash të Koresë së Veriut. Për 40 vjet, Joe Biden – një kundërshtar i gjatë i mbrojtjes raketore – dhe struktura demokrate kanë kundërshtuar investimet e nevojshme në sigurinë tonë kombëtare që do të na kishin siguruar një mbrojtje ombrellë kundër sulmit me raketa bërthamore. Nëse do të kishim një rend politik funksional, do të punonim për një mbrojtje raketore kombëtare – edhe me sfidat teknologjike të paraqitura nga raketat hipersonike dhe armët bërthamore taktike – me një nivel serioziteti të Projektit Manhattan, sikur vetë jeta jonë të varej prej tij. Sigurisht, rusët dhe kinezët nuk kanë asnjë frenim për ndërtimin e mbrojtjes së tyre raketore dhe kapaciteteve hapësinore.

Fakti që ne nuk kemi arritur ta bëjmë këtë, dërgon një mesazh për rusët dhe kinezët se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të merren seriozisht kur bëhet fjalë për paralajmërimet për Ukrainën ose Tajvanin ose ndonjë vend strategjik të rëndësishëm në botë. Nga këndvështrimi i tyre, nëse Amerika nuk është serioze për mbijetesën e saj kombëtare, pse të mendojnë se është serioze për mbijetesën e Ukrainës?

Fakti që amerikanët duhet të dëgjojnë senatorët dhe kongresmenët e të dyja palëve të diskutojnë dislokimin e trupave tokësore të SHBA-së në Evropën Lindore dhe të hedhin poshtë hipotezat si përdorimi i armëve bërthamore kundër Rusisë, është kulmi i absurditetit. Edhe nëse lufta do të ishte disi në interesin kombëtar të SHBA-së, asnjë person serioz nuk do ta sugjeronte atë pa u siguruar fillimisht se një mbrojtje kombëtare raketore ishte e aftë të mbronte atdheun dhe trupat tona të dislokuara jashtë vendit.

Atëherë, çfarë duhet të bëjmë për një luftë të mundshme në Ukrainë? Pavarësisht bisedave të ashpra nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, Rusia me siguri e di se kjo është vetëm retorikë pasi që në vitin e parë të administratës së Bidenit, Rusia, një armik i supozuar, trajtohej më mirë se çdo aleat amerikan.

Shenja dalluese e politikës së administratës Trump ndaj Rusisë ishte ndjekja e vazhdueshme e pavarësisë totale të energjisë duke hapur prodhimin amerikan të naftës dhe gazit. Duke qenë se industria kryesore e Rusisë është nafta dhe gazi, Trump i bëri rusët më pak të pasur dhe më pak të aftë për të luajtur rolin e agresorit në çështjet evropiane. Në vitin 2021, akti i parë i administratës Biden ishte mbyllja e tubacionit Keystone XL, duke reduktuar furnizimin global të naftës që çoi në çmime më të larta për konsumatorët amerikanë. Nga këto çmime më të larta përfituan rusët, të cilët panë rritjen e të ardhurave nga nafta dhe gazi me gati 50 për qind. Më pas, administrata e Bidenit hoqi sanksionet nga kompanitë që ndërtojnë gazsjellësin Nord Stream 2 që furnizojnë gaz natyror rus në Gjermani, duke e bërë aleatin tonë të NATO-s më të lidhur dhe të varur nga Rusia. Pra, pavarësisht se është sulmuar nga politikanët amerikanë dhe media, Rusia çuditërisht ka pasur rrugën e saj te hapur me administratën Biden pothuajse në çdo hap.

Kjo lloj diplomacie mund ta çojë Vladimir Putinin në përfundimin se ai mund ta sjell verdallë Joe Biden-in dhe se administrata e Biden-it tani thjesht po mban qëndrime për konsum të brendshëm politik. Me fjalë të tjera, duke pasur parasysh vendosjen ushtarake ruse në kufirin ukrainas, Putin beson se Joe Biden po bën bllof kur dërgon trupa amerikane në Evropën Lindore. Putini dëshiron Ukrainën dhe beson se Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndalojnë atë.

Putini ka parë që Kina komuniste lëshoi ​​Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, se mbi 850,000 amerikanë vdiqën, se ekonomia dhe sistemi politik i SHBA u dërrmuan dhe se Pekini ia hodhi paq me këtë vrasje. Putini pa që Biden të tërhiqte në mënyrë poshtëruese forcat amerikane nga Afganistani dhe të linte 85 miliardë dollarë pajisje ushtarake dhe bazën ajrore Bagram për t’u përdorur nga armiqtë tanë. Putini mund të shtyhet të besojë se administrata e Biden-it po tërheq SHBA-në nga skena botërore dhe po përqafon një vizion globalist ku Shtetet e Bashkuara janë vetëm një komb më shumë në një botë shumëpolare, dhe ai do të kishte arsye të mira për të besuar se është kështu. Nuk mund të jetë çudi që Putini nënshkroi marrëveshjen strategjike me Xi Jinping kur e nënshkroi.

Më në fund, disa kanë sugjeruar se ky është momenti diversionist i Joe Biden-it për të shpërqendruar nga politikat e tij të dështuara ekonomike dhe Covid-19 këtu në shtëpi. Normalisht nuk luhen lojëra të tilla me superfuqitë bërthamore. Tani është koha që të merremi seriozisht me mbrojtjen tonë – nga mbrojtja raketore te gjendja e forcave tona të armatosura – në vend që të besojmë se lufta në Ukrainë është në interesin tonë kombëtar. Mund të lutemi vetëm që të mos jetë vonë.

Burimi: The American Mind

Brian T. Kennedy është president i Grupit Amerikan të Strategjisë; ai është anëtar i lartë, anëtar bordi dhe ish president i Institutit Claremont.

Të Fundit


Pamundësia e shoqërisë sekulare

Pamundësia e shoqërisë sekulare

Nuk ekziston diçka e tillë si shoqëria sekulare. Pretendimi im është njëkohësisht brutal dhe paradoksal: çështja…

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Si mund ta mposhtë Kina Amerikën                 

Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor…

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…