Besa e shqiptarëve: Një përgjigje bujare ndaj gjenocidit

Një boshnjak kujton mirësinë që mori nga të huajt që mbajnë një kod të vjetër jozyrtar nderi.

Shkruar nga

Ndërsa vazhdoj të shoh me tmerr shpërnguljen e detyruar të refugjatëve nga vende ku shtëpia është bërë vend i pasigurt, rikthehem në fëmijërinë time, kur shtëpia jonë në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnje-Hercegovinës, papritur u bë e pasigurt dhe ia mbathëm si familje në kërkim të një strehe të sigurt. Gjetëm strehim falë komunitetit të shqiptarëve dhe turqve në Maqedoni, të cilët shtrinë drejt nesh atë që ata e kuptojnë kulturalisht si “besa”: një kod nderi shqiptar që përfshin premtimin për mbrojtje, strehë të sigurtë dhe kalim të sigurtë, veçanërisht për ata që ishin në rrezik. 

Më 2 maj 1992, autobusi ynë ishte një nga të fundit që u largua nga Sarajeva. I hypëm së bashku me nënën time dhe dy vëllezërit më të vegjël në këtë përpjekje evakuimi për familjet e punonjësve të Bashkësisë Islame të Bosnjes dhe Herzegovinës. Isha 10 vjeç.

Atë ditë, Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) dhe forcat rebele serbe boshnjake nisën një sulm ndaj Sarajevës në një përpjekje për ta kapur atë. Të mbështetur politikisht, ushtarakisht dhe logjistikisht nga vendi fqinj Serbia, rebelët serbë boshnjakë kërkuan të shkëputeshin nga Bosnja dhe të krijonin një shtet të vetin. Serbët, të cilët janë kryesisht të krishterë ortodoksë lindorë, janë grupi i dytë më i madh etnik në Bosnje. Qëllimi përfundimtar i  rebelëve  ishte të bashkoheshin me Serbinë. Kryesuar nga Radovan Karaxhiç, kishin vënë në lëvizje planin e shkëputjes menjëherë pasi Bosnja votoi për pavarësinë nga ish Jugosllavia më 1 mars 1992. Ajo që pasoi ishte një fushatë e dhunës gjenocidale kundër popullsisë boshnjake anembanë vendit.

Në mënyrë për të dhënë goditje vdekjeprurëse kundër vendit të ri të pavarur, rebelët synonin të kapnin vetë Sarajevën. Një betejë vendimtare për mbrojtjen e kryeqytetit filloi pikërisht ditën e largimit tonë. Ushtria e Republikës së Bosnje dhe Herzegovinës e frenoi sulmin. Duke mos e kapur qytetin, forcat serbe e rrethuan atë për tre vjet e gjysmë.

Ne udhëtuam në juglindje për shumë orë përpara se të mbërrinim përfundimisht në Maqedoni. Ndërsa disa familje në autobus qëndruan në kryeqytetin maqedonas Shkup, shumica prej nesh u drejtuan për në perëndim. Ne përfunduam në qytetin veriperëndimor të Tetovës, i banuar nga një popullsi e madhe shqiptare si dhe një pakicë turke, duke mos ditur se çfarë na priste.

Familjet shqiptare në Tetovë kishin shprehur gatishmërinë e tyre për të pritur boshnjakët; kjo ishte arsyeja kryesore pse ky qytet u bë shtëpia jonë e përkohshme. Ndryshe nga pjesa tjetër e Jugosllavisë, Maqedonia, e cila kishte shpallur pavarësinë në vitin 1991, ishte ende paqësore. Shpresuam se kjo do të ishte streha jonë për muajt e ardhshëm. Në Tetovë, familjet shqiptare dhe turke morën familjet që vinin nga Bosnja në shtëpitë e tyre. Ndërsa disa boshnjakë kishin të njohur në qytet, ne nuk njihnim askënd në atë kohë. Por një familje shqiptaro-turke që kishte dëgjuar për babanë u ofrua me ngrohtësi të na merrte brenda.

Babai im i ndjerë, Fikret Karçiç, ishte midis dijetarëve më të respektuar dhe më pjellorë të ligjit islamik në Ballkan. Në kohën e mbërritjes sonë në Maqedoni, ai ishte asistent profesor në Fakultetin Teologjik Islamik (tani i quajtur Fakulteti i Studimeve Islame) në Sarajevë. Themeluar më 1977 në atë që atëherë ishte Jugosllavia komuniste, në atë kohë ishte i vetmi institucion i mësimit të lartë islamik në vend. Qëllimi i tij ishte të edukonte një brez të ri dijetarësh fetarë, të cilët, duke studiuar në vendin e tyre nuk do të kishin më nevojë të udhëtonin jashtë vendit për arsimimin e tyre. Regjimi komunist, në pushtet që nga viti 1945, kishte goditur fenë dhe arsimin fetar dhe Medreseja Gazi Husrev Bej në Sarajevë ishte i vetmi institucion për arsimimin e imamëve në Jugosllavi. Megjithëse ishte më pak e ashpër se regjimet e tjera komuniste, Jugosllavia e Mareshalit Tito ende margjinalizonte si fenë, ashtu edhe qytetarët e devotshëm.

Si i vetmi institucion i këtij lloji në Jugosllavi, shkolla e Sarajevës tërhoqi studentë nga të gjitha pjesët evendit. Muslimanët boshnjakë, shqiptarët etnikë, turqit dhe të tjerë studiuan në Sarajevë përpara se të merrnin vende pune anembanë Jugosllavisë. Në të njëjtën mënyrë, myslimanë të përkatësive të ndryshme etnike nga Maqedonia kishin studiuar gjithashtu në Sarajevë, ku dhe kishin dëgjuar për babain tim. Kështu doli vullnetar kjo familje e veçantë për të na pritur kur mbërritëm në Tetovë.

Autoritetet maqedonase qenë dukshëm të pakënaqura që shqiptarët po ndihmonin boshnjakët. Ende e mbaj mend mirë qëndrimin e tyre. Tre dekada kanë kaluar që nga ajo kohë, por unë jam ende i shqetësuar për vendosjen e të afërmve dhe pasardhësve të ish-mikpritësve të mi në rrezik të mundshëm, prandaj do t’u referohen atyre me pseudonimet Skënder dhe Fatime. I pari ishte një sipërmarrës dhe e dyta një shtëpiake. Për gjashtë muaj  që qëndruam me ta, ata na morën si pjesë e familjes së tyre. Edhe pse nuk e shprehën kurrë formalisht, Skënderi dhe Fatimja i dhanë familjes sime atë që në thelb ishte besa.

Besa është një koncept i rëndësishëm në kulturën shqiptare. Fjala ka disa kuptime. Fjalë për fjalë, do të thotë “të mbash një premtim”. Është një kod nderi. Mund të nënkuptojë gjithashtu një betim, një zotim ose një besnikëri. Nëse të jepet besa, të jepet mbrojtje.

Është një koncept dhe praktikë e vjetër. Shqiptarët kanë ofruar një mbrojtje të tillë për të tjerët në disa raste gjatë gjithë shekullit të 20-të. Gjatë Holokaustit, shqiptarët i dhanë besën të gjithë popullsisë hebreje shqiptare, si dhe refugjatëve të tjerë hebrenj evropianë. Sipas Yad Vashem nga Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit, Shqipëria, “është i vetmi vend evropian me një shumicë muslimane [në atë kohë], që ja doli aty ku vendet e tjera evropiane dështuan. Pothuajse të gjithë hebrenjtë që jetonin brenda kufijve shqiptarë gjatë pushtimit gjerman, ata me origjinë shqiptare dhe refugjatët, u shpëtuan, përveç anëtarëve të një familjeje të vetme. Në mënyrë mbresëlënëse, në Shqipëri kishte më shumë hebrenj në fund të luftës sesa para saj. “

Më vonë, gjatë konfliktit ndërkombëtar të armatosur në Bosnjë dhe Hercegovinë, refugjatëve boshnjakë iu dha besa nga komuniteti shqiptar në Maqedoni. Disa vjet pas kësaj, kur regjimi i Sllobodan Millosheviçit intensifikoi fushatën e terrorit kundër shqiptarëve të Kosovës, mijëra kërkuan strehim në Maqedoni dhe Shqipëri më 1999. Atje përsëri, shqiptarët ofruan besën.

Në rastin tim, shumë kohë para se të kisha dëgjuar ndonjëherë për konceptin e besës, unë dhe familja ime e përjetuam atë. Familje të tjera boshnjake që erdhën në Maqedoni me ne, si dhe shumë që u derdhën në qytet në javët në vijim, u morën nën kujdes nga familje të tjera shqiptare.

Ndërsa lufta vazhdonte në Bosnje, refugjatët vazhdonin të mbërrinin në Maqedoni. Zyrtarët dhe burokratët e vendit nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre ndaj dyndjes së refugjatëve muslimanë. Por ishin familjet shqiptare e turke që mbanin barrën e pritjes së miqve afatgjatë. Shumë e perceptuan rolin e tyre si të ngjashëm me atë të Ansarit – termi arab, që fjalë për fjalë do të thotë “ndihmës”, dhënë popullit të Medinës, i cili siguroi strehim dhe mbështetje për Profetin Muhamed dhe pasuesit e tij pas largimit të tyre nga Meka në vitin 622 të e.s.

Më kujtohet qartë kur pjesëtarët e familjes sime nga qyteti lindor boshnjak i Vishegradit — gjyshja ime Hafa, stërgjyshja ime Hafiza dhe xhaxhai i babit tim e familja e tij — mbërritën verën e vitit 1992. Ata u paraqitën në Tetovë dhe pamja e Hafizës ngjalli emocione mes të gjithë të pranishmëve. Jashtëzakonisht e gjatë, me një fytyrë të butë, Hafiza ishte asokohe në fund të të 90-tave. Gjatë gjithë shekullit të 20-të, jeta e saj ishte karakterizuar nga sulmet e përsëritura serbe ndaj Vishegradit dhe popullsisë së saj muslimane. Kërcënimet jetësore ndaj muslimanëve në Bosnjën lindore erdhën si prej serbëve fqinjë ashtu edhe prej sulmuesve nga Serbia.

Ajo që ishte e jashtëzakonshme në lidhje me fatin e Hafizës ishte se ajo u detyrua të largohej nga Vishegradi tri herë në jetën e saj: në Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore dhe përsëri në vitin 1992. Tetova ishte streha e saj e tretë — dhe do të rezultonte e fundit — gjatë nëntë dekadave të jetës së saj.

Megjithatë, kushërinjtë e mi ishin me fat që dolën nga Vishegradi. Kishim një bashkim familjar të pjesshëm që askush nuk e kishte pritur. Këtyre të afërmve u sigurohej gjithashtu strehimi dhe mbështetja nga familjet vendase shqiptare dhe turke, të cilat zgjodhën se cilat familje boshnjake do të strehonin. Meqënëse shumica e boshnjakëve nuk njihnin askënd në Tetovë, ata përfunduan duke jetuar me familje shqiptare që nuk i kishin takuar kurrë më parë.

Shpejt u bë e qartë se lufta do të zgjaste dhe kthimi në shtëpi në të ardhmen e afërt nuk ishte i mundur. Duke kuptuar këtë realitet të ri, shumë boshnjakë jetuan në Tetovë për disa muaj përpara se të shkonin në destinacione të reja anembanë Evropës.

Babai u bashkua me ne në fund të vitit 1992. Përpara se të fillonte lufta, ai kishte planifikuar të merrte një emërim si profesor në Stamboll. Mbërritja e tij në Tetovë na lejoi të përgatiteshim për të shkuar në Turqi. Kur dëgjuan për mbërritjen e tij, disa nga ish – studentët dhe të njohurit e tij erdhën ta takonin. Ata e kishin njohur atë si një profesor dhe intelektual publik në rritje, ndër më të shquarit e një brezi të ri mendimtarësh muslimanë aktivë në komunitetin islamik të Jugosllavisë.

Një përvojë shquhet në veçanti.

Një ish-student lokal nga Tetova, të cilin do ta quaj Ismail, erdhi të takonte babanë tim dhe e ftoi ngrohtësisht në fshatin e tij. Ky ishte një gjest nderimi për një ish mësues. Për boshnjakët, si për shumë kultura të tjera, të ftosh dikë për vizitë në familje tregon respekt dhe afërsi.

Para luftës, Ismaili ishte student në Sarajevë. Si pjesë e edukimit të tij fetar, ai dhe studentët e tjerë u dërguan në të gjithë Jugosllavinë për të shërbyer si imam në komunitetet lokale, një praktikë që synonte të kompensonte mungesën e imamëve në Jugosllavinë komuniste. Shërbesat si imam i përkohshëm në një komunitet ofronin përvojë të vlefshme për udhëheqësit e ardhshëm shpirtërorë. Bashkësia Islame e caktoi Ismailin të shërbente në qytetin e lindjes së babait tim, në Vishegrad.  Gjyshi i nënës së babait tim, Rasim Tabakoviç, kishte qenë imam në qytet për 40 vjet dhe ishte shtylla e komunitetit lokal musliman. Prindërit e  babait tim, Hasani dhe Hafa, ishin myslimanë të përkushtuar për xhaminë dhe komunitetin lokal në Vishegrad. Ata ishin mikpritësit e udhëtarëve të panumërt myslimanë që kalonin përmes ose vizitonin këtë qytet. Gjatë viteve të gjata të sundimit komunist, pak myslimanë erdhën në Vishegrad pa kaluar nga shtëpia e gjyshërve të mi. Ismaili ishte një prej tyre.

Gjyshërit e autorit, Rasim dhe Hafiza Tabakoviç. (Hamza Karçiç)

Tani, vite më vonë, Ismaili e ftoi babanë të vizitonte fshatin e tij. Familja e tij ishte fetare dhe kishte të ardhura modeste. Pasi bëri një turne në fshat dhe në shtëpinë e prindërve  të Ismailit, babai im u mor mënjanë nga babai i moshuar i Ismailit në mënyrë që askush të mos dëgjonte ose të shihte ndërveprimin e tyre. Ndonëse jetonte me modesti, i moshuari shqiptar i dha tim eti një dhuratë: një grusht ari të familjes së tij. Ai i tha babait se kjo ishte ajo që kishin dhe donte që ta ruanin “për një ditë të vështirë”. Simbolika e aktit dhe gatishmëria për të sakrifikuar ishte më e fuqishme se sasia e arit, e cila ishte modeste.

Ari vlerësohet shumë veçanërisht ndërmjet banorëve të Ballkanit. Dhurimi i arit në ceremonitë martesore është pjesë e kulturës dhe protokollit. Ajo jepet nga nëna tek vajza. Bazuar në historinë e turbullt të rajonit, shumë në Ballkan kanë kohë që mbajnë arin në vend si një mënyrë për të ruajtur pasuritë e tyre. Për shumë familje, ari i mbajtur në shtëpi është simbolik dhe domethënës.

Babai i Ismailit i dhuroi babait tim arin e familjes së tij. Unë në fakt e konsideroj këtë një besë të dytë.

Jo shumë kohë më pas, i paketuam përsëri çantat. Unë, mamaja dhe vëllezërit kishim gjashtë muaj që qëndronim në Tetovë. Pasi babai u bashkua me ne, u transferuam së bashku në Turqi. Babai im dha mësim për një vit në Universitetin Marmara të Stambollit, përpara se të  transferoheshim edhe më në lindje, në Malajzi. Pak kohë më parë, në vitin 1990, kishim jetuar në këtë pjesë të Azisë Juglindore dhe tani ishim kthyer në Kuala – Lumpur. Kryeqyteti do të jetë shtëpia jonë për tetë vitet e ardhshme.

Familja ime ishte me fat që arriti të krijonte jetë të mirë në vende të huaja. Babai im ishte profesor në Universitetin Ndërkombëtar Islamik në Kuala Lumpur nga fundi i vitit 1993 deri në vitin 2002. Kjo do të thoshte se nuk duhej të shisnim kurrë ndonjë nga ato dhurata të çmuara që kishim marrë: ari i ofruar nga babai i Ismailit mbeti i paprekur.

Bashkëkombasit e mi boshnjakë pësuan një gjenocid dhe atdheu ynë u shkatërrua nga lufta që shkatërroi Bosnjën deri në vitin 1995. Pastaj, në vitin 2002, pas një dekade jashtë vendit, familja ime vendosi të kthehej në Bosnje. Babai im filloi të jepte mësim sërish në Fakultetin e Studimeve Islame dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Sarajevë.

Disa vjet më vonë, në Sarajevë u mbajt një konferencë, në të cilën Ismail erdhi nga Maqedonia për të marrë pjesë. Gjatë asaj mbledhjeje pas kaq shumë vitesh, kishte mbetur një çështje të rëndësishme për tu zgjidhur. Prindërit e mi e kishin ruajtur e arit gjatë gjithë atyre viteve ndërsa jetonin jashtë shtetit. Tani, babai ia ktheu Ismailit, familja e të cilit kishte qenë e sinqertë në dhënien e asaj që kishin dhe nuk priste kurrë ta rimerrte nga ne.

Mikpritësi ynë në Tetovë, Skënderi, vdiq në një moshë relativisht të re. Por Fatimja jetoi për të na parë të kthehemi në Bosnje. Në vitin 2006, rreth 14 vjet pasi kishim qëndruar në shtëpinë e saj, Fatimja tani ishte mysafirja e familjes sime në shtëpinë tonë në Sarajevë. Këtë herë, prindërit e mi ua kthyen mikpritjen e sinqertë e të dhembsur që mikpritësit tanë shqiptarë na kishin ofruar në fillim të viteve 1990. Për herë të fundit e pashë Fatimen kur ajo vizitoi Sarajevën përsëri disa vjet më parë. Isha shumë i lumtur që e pashë. Ajo ishte bërë si një hallë dhe pjesë e familjes sonë. Ajo vdiq jo shumë kohë pasi na vizitoi.

Kujtimet e mikpritjes shqiptare dhe turke dhe mbështetja për boshnjakët në Maqedoni në 1992 jetojnë në të dy komunitetet. Megjithatë, historitë e shquara të sakrificës së një komuniteti kanë humbur në botën e madhe, pasi përqendrimi ka qenë tek reagimi perëndimor ndaj krizës së refugjatëve që u krijua nga gjenocidi në Bosnje. Ky fokus ka lënë pa ndriçuar veprat e jashtëzakonshme të bujarisë së njerëzve më të përulur.

Besa e  shqiptarëve ndaj boshnjakëve nuk ishte një vendim nga lartë poshtë. Ajo vinte nga poshtë, njeri-me-njeri; reagim njerëzor ndaj një gjenocidi në vazhdim. As nuk ishte hera e vetme që shqiptarët kishin vepruar në këtë mënyrë në shekullin e 20-të. Ajo është dëshmi e fuqisë së një kodi joformal sjelljeje dhe përkujtues se ndodhin akte besimi dhe shprese tejet të mëdha.

Skënderi dhe Fatimja u ofruan shtëpinë e tyre të huajve, refugjatëve që po iknin për jetën e tyre në një vend që shumica nuk e dinin. Babai i Ismailit ishte i gatshëm të jepte pasuritë e pakta të familjes së tij. Këto ishin vepra të jashtëzakonshme bujarie. Ata, së bashku me familjet e tjera shqiptare dhe turke në Tetovë, ishin Ansarët e viteve 1990. Besa është një angazhim i veçantë dhe njëjësisht i thellë për mbrojtjen e të tjerëve. Është një kod nderi jozyrtar që, pasi dikush ta ketë ndërmarrë atë, do të vazhdojë të nderojë edhe duke vënë veten në rrezik të madh personal. Është kjo frymë për të dhënë besën që ndoshta ka nevojë të kultivohet më shumë për mikpritjen e refugjatëve në vende të tjera. Po ta adoptonin atë më shumë njerëz, gjendja e refugjatëve në botë do të ishte me të vërtet shumë ndryshe.

*Shkruar për New Lines Magazine

Të Fundit


Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Serbia e do Europën, por një Europë që i ngjan Serbisë jo një Serbi që…

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Ian Bremmer  Drejtor i GZERO Media Group  Marrë nga GZero Inkursioni tokësor i Izraelit në Gaza duket se ka…