Profeti i të Përjetshmes

“Kur të sjell shpatën kundër një vendi dhe populli i atij vendi merr një burrë nga kufijtë e tij dhe e vë si sogjetar, në rast se e sheh shpatën që vjen kundër vendit, dhe i bie borisë dhe lajmëron …

Shkruar nga

“Kur të sjell shpatën kundër një vendi dhe populli i atij vendi merr një burrë nga kufijtë e tij dhe e vë si sogjetar, në rast se e sheh shpatën që vjen kundër vendit, dhe i bie borisë dhe lajmëron popullin, kushdo që dëgjon borinë, por nuk i vë veshin paralajmërimit, në rast se shpata vjen dhe e merr me vete, gjaku i tij do të bjerë mbi kokën e vet. Ai ka dëgjuar zërin e borisë, por nuk i ka vënë veshin paralajmërimit, gjakun e tij do ta ketë mbi vete. Por ai që ka marrë parasysh paralajmërimin, do të shpëtojë jetën e tij.

Por në rast se sogjetari sheh shpatën që po vjen dhe nuk i bie borisë për të paralajmëruar popullin, dhe shpata vjen dhe merr me vete ndonjë prej tyre, ky do të çohet tutje për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t’i kërkoj llogari sogjetarit.”

(Ezekieli 33:2-6)

Sipas Aleksandër Solzhenicinit, populli rus e injoroi sogjetarin e tyre, Fjodor Dostojevski, i cili parashikoi ardhjen e luftës kundër vendit të tyre nga brenda kufijve të tyre. Në “Përballja me frymën e mohimit revolucionar”, Dan Mahoney thekson shenjat e afrimit të totalitarizmit që gjenden në romanin Djajtë të Dostojevskit. Në këtë roman, Mahoney i identifikon demonët si “nihilizëm revolucionar, ateizëm politik, “gjysmë-shkencë” ose shkencizëm dhe një totalitarizëm fillestar që ndërthur fanatizmin moral me përbuzjen për dallimin primordial midis së mirës dhe së keqes. Pavarwsisht se me ç’saktësi këto fjalë mund t’i përshtaten simptomave të sëmundjes që infektonte kulturën ruse gjatë ditëve të Dostojevskit, vetë fjalët çojnë në probleme të ngjashme duke qenë tepër abstrakte. Po, djajtë fshihen nën “izmat”, por ne kemi nevojë për udhëzues më të veçantë dhe konkretë për t’i demaskuar ata. Mahoney arrin më afër shenjës kur thërret personazhet – ata që duhet të veprojnë si roje, por janë mësues dhe udhëheqës të pushtuar: Kirillovi, Stavrogini, Stepan Verhkovenski, djali i tij Pjotri, Varvara Stavrogina, si dhe guvernatori von Lembke dhe gruaja e tij.

Në roman, ata që janë në pushtet zgjedhin të përdorin pozicionet e tyre në mënyra që korruptojnë të rinjtë, inkurajojnë dhunën dhe çojnë drejt shkatërrimit dhe jo krijimit. Mahoney mbështet Kirillovin dhe Stavroginin si shembujt kryesorë të “Burrave Autonomë”, ata që pretendojnë se sundojnë veten e tyre. Në zhargonin bashkëkohor, mund të themi se Kirillovi dhe Stavrogini mishërojnë moton: “ti e bën veten”. Ata e kanë gëlltitur gënjeshtrën se mund të jenë vetvetja, të skicojnë rrugët e tyre, të shkruajnë historitë e tyre. Me pak fjalë, ata mendojnë se nuk janë ndikuar nga vetë kultura në të cilën janë pushtuar. Ka një poezi te Djajtë e titulluar “Një karakter fisnik” që pretendon se “familja, martesa [dhe] Kisha” janë “gënjeshtrat e së kaluarës që na mbajnë skllevër!” Nëpërmjet kësaj satire, Dostojevski nënkupton të kundërtën: në vend të skllavërimit, familja, martesa dhe kisha do ta shpëtojnë individin nga nënshtrimi i gënjeshtrës së autonomisë dhe vetë-krijimit. Duke hequr dorë nga pretendimet e familjes, martesës dhe kishës, Stavrogini përdhunon një vajzë të re, e cila më pas vret veten. Ai tallet me martesën duke u martuar me një grua të dobët mendërisht për shaka. Ai sfidon kishën duke shkruar një “rrëfim” që vepron si një festë e akteve të tij të tmerrshme të dhunës. Jeta e tij përfundon me vetëvrasje. Dostojevski e ekspozon dëshirën për autonomi absolute si një dëshirë vdekjeje.

Në kontrast me një pavarësi e tillë radikale, Dostojevski i shtyn lexuesit e tij drejt ndërvarësisë së virtytshme me të tjerët. Në mënyrë të veçantë, ai thekson dobinë nga autoriteti legjitim. Dostojevski e nxjerr në pah edukimin e varfër të Stepan Verkhovenskit, të cilin Mahoney e quan “një intelektual progresiv liberal i një epoke tjetër”, si shkakun kryesor të revolucionarëve të pabindur. Përveç udhëheqjes së dobët të guvernatorit von Lembke dhe patronazhit të Varvara Stavroginës, ky mësues propagandonte ide të këqija pa menduar për pasojat e tyre finale. Mahoney dënon vlerësimin e pamenduar të Verkhovenskit për socializmin e Çernishevskit si një ide të mirë, por e tmerrshme në praktikë. Ideja nuk mund të jetë morale nëse ekzekutimi i saj do të ishte imoral. Një përballje e tillë frikacake me filozofinë ka krijuar djajtë që Verhovenski refuzon t’i pranojë.

Ajo që ne shohim te Dostojevski nuk është thjesht ideologji e keqe, por mësues dhe sogjetarë që nuk e përmbushën përgjegjësinë e tyre, për të mos përmendur masën e njerëzve të çuar në rrugë të gabuar nga udhëheqës të tillë neglizhentë. Ne duhet të shikojmë jo vetëm idetë, por edhe ata që i përcjellin ato. Kush është mësuesi dhe cilët janë ndjekësit e tij?

Disa vite më parë, Alan Jacobs na bënte thirrje që të mos u drejtoheshim intelektualëve si sogjetarët tanë, por shkencëtarëve. Në “The Watchmen“, Jacobs e merr termin e tij nga Karl Mannheim, një sociolog i larguar prej nazistëve nga pozicioni i tij në universitetin e tij, i cili argumentonte se intelektualët u thirrën të “luanin rolin e sogjetarëve në atë që përndryshe do të ishte një natë e pus të zezë.” Në vend që t’i dëgjonim këto shifra të mençura, ne filluam të zëvendësonim të urtin me “shkencëtarin”. Jacobs tregon kopertinat e revistës Time si dëshmi të tij për kalimin gradual nga nderimi i studiuesit publik në atë të zotit të teknologjisë. Vini re se Time dikur shfaqte C.S. Lewis dhe Reinhold Niebuhr në kopertina, por vetëm vitin e kaluar, si evidencë të mëtejshme për pretendimin e Jacobs, ata na ofruan Elon Musk (një burrë që poston në Twitter për aktivitetin e zorrës së tij të trashë) i cili është i pasur dhe i famshëm dhe po shtron rrugën drejt utopisë në Mars. Këto janë figurat që shoqëria jonë ngre lart që ne t’i imitojmë. Nëse, siç na tregon Dostojevski, ne nuk jemi individë autonomë, por gjithmonë imitojmë të tjerët, në ç’njerëz do të na shndërrojnë këto modele?

Dostojevsky na paralajmëron për ato që Niebuhr i quan “utopi të buta” në të cilat, siç shkruan Mahoney, fëmijët mësohen “të përqeshin Zotin” dhe akademikët refuzojnë të përdorin fjalë si “e keqja. Këto ide të këqija që transmetohen nga mësuesit dhe sogjetarët tanë do të na çojnë në një përqafim të ideologjisë në të cilën ne nuk mund të dallojmë më të drejtët nga të ligjtë.

Përveç kujdesit, Mahoney na tregon edhe zgjidhjen e Dostojevskit: një puthje paqeje, si kur Krishti i Ivanit puth Inkuizitorin e Madh. Ai e gjen gjestin të fuqishëm “por të shoqëruar nga pasiviteti dhe përtejbotshmëria”. Këtu, më duhet të argumentoj prerazi se Mahoney e keqkupton këtë gjest. Në asnjë mënyrë puthja e Krishtit nuk është pasive dhe e përtejbotshme. Përkundrazi, fuqia e puthjes buron nga tre burime dhe këto tre kuptime rregullojnë çdo problem që na hedhin nihilizmi, totalitarizmi dhe ideologjia. Së pari, puthja e armikut kundërshton impulset e dhunshme të Inkuizitorit të Madh, duke na kujtuar, siç tregon Rene Girard, se vetëm veprimet vetëmohuese pengojnë shkatërrimin. Ne nuk duhet të çrrënjosim dhunën, por të korrigjojmë vetë shkaqet e dhunës së mëtejshme; ne ndalojmë dhunën me bamirësi. Së dyti, duhet të theksohet se puthja është e veçantë. Në një botë abstraksioni dhe engjëllimi, puthja tregon domosdoshmërinë e veprimit konkret midis dy njerëzve. Ju nuk mund të pretendoni se doni atë që nuk mund ta prekni. Së fundi, puthja duhet imituar. Krishti na jep një shembull që ne mund ta ndjekim. Mund të duket e pamundur të pengosh rrjedhën e ideologjisë progresive, por është e mundur që ta duam fqinjin, pavarësisht nga flamuri i neveritshëm politik që ai ka në garazhin e tij.

Mahoney ka të drejtë: Dostojevski nuk është një kundërideolog. Ai është gjithmonë një profet i përjetësisë, por nëpërmjet vetë veçorive të këtyre kohëve dhe vendeve ku jetojmë. Kur ndjejmë se forcat e despotizmit dhe autoritarizmit po fitojnë shumë fuqi, përgjigja mund të jetë aq e thjeshtë sa të zgjedhim një roman rus të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

*Jessica Hooten Wilson është Studiuese Louise Cowan në programin e pasuniversitar të Shkencave Humane dhe Arsimit Klasik në Universitetin e Dallasit. Ajo është autore e tre librave, duke përfshirë Walker Percy, Fyodor Dostoevsky and The Search for Influence dhe Reading Walker Percy’s Novels. Vëllimi i saj i redaktuar, Solzhenitsyn and the American Culture: The Russian Soul in the West do të botohet nga University of Notre Dame Press në 2020.

Përktheu: Vehap Kola

Burimi: Law & Liberty

Të Fundit


Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Kriza në Arsim: skicë për reformën në arsimin e lartë

Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza 

Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Politicidi: Lufta e Ariel Sharonit Kundër Palestinezëve* 

Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Keqkuptimi i europianëve me Serbinë!

Serbia e do Europën, por një Europë që i ngjan Serbisë jo një Serbi që…

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Çfarë duhet të bëjë më pas Izraeli?  

Ian Bremmer  Drejtor i GZERO Media Group  Marrë nga GZero Inkursioni tokësor i Izraelit në Gaza duket se ka…