Marrëveshja e ndarjes së pushtetit në Bosnje po zhbëhet. Ja si mund të ndreqet.
Shkruar nga
Bosnja dhe Hercegovina aktualisht po përjeton krizën e saj më të keqe që nga lufta e viteve 1992-1995. Administrata Biden dërgoi këtë javë të dërguarin e saj më të lartë, Derek Chollet, në rajon për të eksploruar rrugëdaljet e mundshme. Udhëtimi i tij nuk ka rezultuar në ndonjë përparim.
Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës prej tre personash të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe udhëheqësi de facto i entitetit me shumicë serbe të vendit, Republika Srpska (RS), ka njoftuar shkëputjen efektive të RS, duke kërcënuar se do ta tërheqë atë nga qeveria qendrore e Bosnjës, forcat e armatosura, gjyqësori, agjencitë tatimore dhe doganore, dhe organet e tjera shtetërore, si dhe do të krijuar një ushtri të pavarur serbe të Bosnjës. Këto lëvizje, në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 që i dha fund luftës në Bosnje, do ta krijonin RS-në si një shtet të mbrapshtë të ngjashëm me Transnistrinë e Moldavisë dhe praktikisht do ta ndanin vendin.
Dodik ka qenë i qartë për dëshirën e tij për të parë fundin e Bosnjës dhe Hercegovinës që kur u bë kryeministër i RS-së në vitin 2006. Por sot, kërcënimet e tij duken më realiste se kurrë, veçanërisht pasi ai gëzon mbështetje nga Rusia – me këtë të fundit që ka kërcënuar në fillim të këtij muaji të bllokojë rinovimin vjetor të EUFOR, misioni paqeruajtës i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë. Rusia ka ndihmuar në trajnimin e forcës policore të RS, e cila tani është e armatosur me armë të nivelit ushtarak, duke i mundësuar asaj që të veprojë si një ushtri për entitetin. Lëvizje të tilla janë pjesë e sulmit më të gjerë të Serbisë dhe Rusisë ndaj rendit ndërkombëtar në Europën Lindore dhe Juglindore, duke përfshirë gjithashtu kërcënimet ndaj Kosovës, destabilizimin e Malit të Zi, thirrjet për të bashkuar serbët në të gjithë Ballkanin nëpërmjet “Botës Serbe” (Srpski svet) dhe një prani në rritje ruse në kufirin e Ukrainës.
Më tej, Dodik dëshiron të shohë mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë (OHR), një organ i ngarkuar me zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe që ka frenuar tradicionalisht separatizmin serb dhe kroat në vend – edhe pse zyra, nën Përfaqësuesin aktual Christian Schmidt (i cili shihet gjerësisht si i butë ndaj Rusisë) nuk është dukur kurrë më e paefektshme. Ndërkohë, populistët gjithnjë e më të zëshëm të krahut të djathtë në Europë, duke përfshirë kryeministrin slloven Janez Jansha dhe kryeministrin hungarez Viktor Orbán, janë simpatikë ndaj separatizmit të RS. Kroacia e afërt ka mbështetur gjithashtu Bashkimin Demokratik Kroat në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili mbështet qëllimin e Dodik për shpërbërjen e vendit.
Kjo është arsyeja pse ekuilibri ndërkombëtar ka më shumë gjasa të anojë në favor të atyre që kërkojnë shpërbërjen e Bosnjës dhe Hercegovinës më shumë se në çdo kohë që nga përfundimi i luftës. Kjo do të thotë se asnjë përpjekje e gjerë shumëpalëshe për të zgjidhur krizën në baza konsensuale nuk ka gjasa të ketë sukses. Gjithsesi, Dodik kërcënon rregullisht se do të prishë Marrëveshjen e Dejtonit për të përfituar lëshime nga komuniteti ndërkombëtar. Udhëheqësit perëndimorë rregullisht e qetësojnë atë, duke shmangur në mënyrë sipërfaqësore krizat e menjëhershme duke nxitur përpjekjet separatiste të RS-së në të ardhmen afatgjatë.
Natyrisht, mbështetësit ndërkombëtarë të Bosnjës dhe Hercegovinës tundohen të bëjnë thirrje për forcimin e strukturave ekzistuese ndërkombëtare – OHR dhe EUFOR – për të mbështetur sistemin e shkërmoqur të Dejtonit. Por kjo anashkalon faktin se ato marrëveshje janë të pazbatueshme sepse ato përpiqen të pajtojnë ekzistencën e një Bosnje dhe Hercegovine shumëkombëshe me praninë e një entiteti sektar serb që u krijua në bazë të një përpjekjeje gjenocidiale për të shkatërruar Bosnjën dhe Hercegovinën shumëkombëshe. Kjo kontradiktë gjithmonë do të nxisë separatizmin e RS. Edhe Dodik nuk është një lajthitje, por përkundrazi produkt i pashmangshëm i sistemit; ai filloi si një i moderuar, por evoluoi në një separatist radikal. Dhe pa një administratë të fortë ndërkombëtare – si p.sh, përmes OHR-së së fuqishme dhe proaktive që ekzistonte nën Përfaqësuesin e Lartë Pedi Ashdown në mesin e viteve 2000, e cila ndërmori veprime shtrënguese kundër trazirave midis elitave të vendit dhe u mbështet me një prani të fortë trupash ndërkombëtare – RS në të ardhmen në mënyrë të pashmangshme do t’i rikthehet separatizmit.
Mbështetja e rendit aktual në shkërmoqje e lë Bosnjën dhe Hercegovinën për një kohë të pacaktuar si një fuçi baruti që pret të shpërthejë sapo balanca ndërkombëtare e fuqisë të prishet mjaftueshëm. Duke pasur parasysh klimën aktuale ndërkombëtare, kjo mund të ndodhë më shpejt se sa pritet.
Është koha të pranojmë se sistemi i Dejtonit – i cili ishte një masë e përkohshme për t’i dhënë fund luftës dhe nuk synohej kurrë të ishte i përhershëm – ka dështuar të sjellë paqe të qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë. Lëvizjet e Dodik, duke përfshirë refuzimin e vendimeve të gjykatës ndërkombëtare që e cilësojnë masakrën e Srebrenicës si gjenocid, përbëjnë një mohim të Dejtonit. Meqë pala serbe e refuzon kaq ashpër atë, as Bosnja dhe Hercegovina dhe as ndonjë anëtar tjetër i bashkësisë ndërkombëtare nuk është i detyruar t’u përmbahet kushteve të marrëveshjes.
Kjo është arsyeja pse është koha që Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe anëtarët e tjerë të NATO-s të gatshëm t’i shërbejnë udhëheqjes së RS-së, vërejnë se, nëse ajo nuk heq dorë nga politikat e saj separatiste, nuk çarmatoset dhe nuk pranon rivendosjen e menjëhershme të një shteti funksional boshnjak, aleatët do punojnë me anëtarët e tjerë të presidencës boshnjake për të futur një rend kushtetues tërësisht të ri në të cilin RS do të shpërbëhej. Kjo jo vetëm që do t’u dërgonte një sinjal të fortë mbështetësve të Dodik se udhëheqësi i tyre po i përplas pas një shkëmbi, por do t’i tregonte gjithashtu Rusisë një vendosmëri të ripërtërirë për t’u përballur me kërcënime më të gjera të sigurisë në rajon.
Çështja boshnjake ka vënë në rrezik stabilitetin e Europës për gati tri dekada. Është koha për ta zgjidhur përfundimisht atë.
*Marko Attila Hoare është profesor i asociuar dhe drejtues i kërkimit në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Shkencës dhe Teknologjisë në Sarajevë.
Të Fundit
Nuk ekziston diçka e tillë si shoqëria sekulare. Pretendimi im është njëkohësisht brutal dhe paradoksal: çështja…
Yan Xuetong Yan Xuetong, autori i “Mendimi i lashtë kinez, fuqia moderne kineze”, është profesor…
Arsimi i lartë është në trysninë e transformimeve të mëdha. Studimet tregojnë se shumica e…
Robert A. Pape Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar…
Me politicid nënkuptoj një proces që ka si qëllim final shpërberjen e existencës së popullit…
Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj…